Maqedonia dhe zhvillimi në bisedimet për emrin do të jetë temat kryesore të seancës së nesërme të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, njofton Portalb.mk.
Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së nesër do të mblidhen për Këshillin e rregullt, disa javë përpara Samitit të Qershorit në të cilin liderët evropian duhet që të vendosin për rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini do t’i informojë ministrat e 28 vendeve të BE-së për procesin e bisedimeve, ndërkaq dy ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, duhet që të vazhdojnë të bisedojnë në Bruksel, pas raundit të Nju Jorkut.
Është e paralajmëruar se Bullgaria, e cila momentalisht udhëheq me BE-në, bashkë me Austrinë, e cila e merr udhëheqësinë nga 1 qershori do të organizojnë darkë në të cilën do të marrin pjesë ministrat evropian dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov. Kjo do të jetë mundësi për ministrat evropian që ta pyesin shefin e diplomacisë së Maqedonisë për rrjedhën e bisedimeve me emrin, informojnë burime nga Brukseli.
Nga MPJ-ja e Maqedonisë, kanë paralajmëruar se ministri Dimitrov nesër udhëton për vizitë pune dyditore në Bruksel.`