Çfarë nuk po shkon mirë me Europën?
Po të donit të identifikonit një vend dhe një kohë ku ëndrra humanitare, vizioni i një shoqërie që ofron jetë të mirë për gjithë anëtarët e saj, realiteti më i afërt me këtë, vendi dhe koha, do të ishte Europa Perëndimore në gjashtë dekadat që pasuan Luftën e Dytë Botërore. Ishte një mrekulli e historisë: një kontinent i shkatërruar nga diktaturat, gjenocide dhe luftërat, ishte shndërruar në një model demokracie, ku begatia shpërndahej gjerësisht, përcjell Top Channel.
Në vitet e para të shekullit të ri, Europianët ishin shumë më mirë se amerikanët, në shumë fusha. Ata kishin shëndetësi falas, që shoqërohej nga jetëgjatësi më e lartë e popullsisë, si dhe nivel më të ulët varfërimi. Kishin më shumë gjasa se amerikanët që të gjenin punë të mirë gjatë moshës më të mirë për punë.
Por Europa është futur në telashe tani. Sado që demokracia po ndihet e mbërthyer në të dy anët e Atlantikut, nëse liria do të bjerë, më parë ka për të ndodhur në Amerikë. Por le të shohim edhe në Europë ata që janë si vija paralele të Trump-it.
Shumë probleme në Amerikë vijnë nga një vendim shkatërrimtar, i marrë shumë vite më parë, për të zbatuar një monedhë të përbashkët. Krijimi i Euros solli një valë të përkohshme euforie, me sasi të mëdha parash që hynin në Spanjë e Greqi, derisa fluska plasi. Vende si Islanda, që kishin monedhën e tyre, mundën të rikthehen në garë duke zhvlerësuar monedhat e tyre. Por kombet e Eurozonës u detyruan të futen në një fazë depresioni. Ndërkohë që papunësia ishte e lartë, ata duhej të ulnin edhe nivelin e shpenzimeve.
Depresioni u përkeqësua nga një konsensus mes elita, që thoshin se problemet e Europës nuk vinin nga llogari financiare të bëra keq, por për shkak të shthurjeve fiskale, dhe se zgjidhja ishte zbatimi i masave shtrënguese, në nivel drakonian, gjë që e bëri depresionin edhe më të rëndë.
Disa nga viktimat e krizës së Euros, si Spanja, kanë arritur të kthehen në garë. Të tjerë nuk kanë mundur ende. Greqia mbetet ende një zonë e shkatërruar, ndërsa Italia, një nga tre ekonomitë e mëdha që kanë mbetur në BE, ka vuajtur për dy dhjetëvjeçarë rresht. Të ardhurat për frymë në Itali sot janë njësoj si në vitin 2000.
Prandaj, nuk është aspak për t’u habitur që kur italianët bënë zgjedhje në Mars, fituesit ishin dy partitë anti-BE: Populisjta 5 yjet dhe e djathta ekstreme, Lega Nord. Çudia e vetme është se si nuk ndodhi më herët.
Këto parti po përgatiten të bëjnë një koalicion. Edhe pse politikat e qeverisë së tyre nuk janë të qarta, ndarja nga BE në fronte të ndryshme ka për të qenë me siguri pjesë e diskutimeve, që nga zhbërja e shtrëngimeve fiskale, që mund të çojë drejt daljes nga Euroja, e deri te masat e rrepta kundër emigrantëve dhe refugjatëve.
Asnjë s’e di me siguri se si do të shkojë, për zhvillimet në vende të tjera të Europës ofrojnë precedentë të frikshëm. Hungaria është kthyer në autokraci një-partiake, e udhëhequr nga një etno-nacionalist. Polonia duket se po ndjek të njëjtën udhë.
Por çfarë nuk shkoi mirë me projektin Europian, atë marshimin e gjatë drejt paqes, demokracisë e zhvillimit, të bazuar mbi integrimin politik dhe ekonomik? Siç thashë, gabimi gjigant i Euros ka luajtur rolin e vet. Polonia, e cila nuk e mori kurrë Euron, e kaloi krizën ekonomike pa ndier dëme. Megjithatë, edhe atje është duke rënë demokracia.
Megjithatë, unë them që këtu ka diçka më të thellë. Europa ka pasur gjithnjë forca të errëta. Kur ra muri i Berlinit, një shkencëtar politik që njoh, tha me shaka: “Europa Lindore tani është çliruar nga ideologjia aliene e komunizmit, dhe mund të kthehet e qetë të rruga e saj origjinale: fashizmi.” Të dy e dinim që kishte një farë të drejte.
Ajo që i mbante të nënshtruara këto forca të errëta ishte prestigji i një elite Europiane, të përkushtuar ndaj vlerave demokratike. Por ai prestigj humbi nëpër keqmenaxhime, dhe dëmit iu shtua edhe mungesa e dëshirës për t’u përballur me atë që po ndodhte. Qeveria në Hungari i ktheu shpinën gjithçkaje për të cilën qëndron Europa, por vazhdon të marrë ndihma nga Brukseli.
Dhe pikërisht këtu unë shoh linja paralele me zhvillimet në Amerikë.
Amerika vërtet nuk pati katastrofa të tipit të Euros. (Po, kemi një monedhë të vetme, por kemi institucione të federalizuara për sistemin bankar dhe atë financiar, që e bën këtë monedhë të funksionojë”. Por gjykimi i gabuar nga elitat tona centriste sikur ka bërë konkurrencë me homologët e tyre në Europë. Në vitet 2010-2011, kur Amerika vazhdonte të vuante nga papunësia në masë, njerëzit në Uashington ishin më të fiksuar me reformat për të drejtat.
Grupet tona të qendrës, bashkë me mediat, ishin në vetëmohim për vite të tëra, pa e pranuar radikalizmin e republikanëve, që po angazhohej në në mënyrë patologjike në fakte të rreme. Dhe tani Amerika po qeveriset nga një parti që ka pak respekt për normat demokratike e për rendin ligjor, njësoj si partia Fidesz e Hungarisë.
Ideja është që ajo që nuk po shkon mirë me Europën, thellë-thellë, është e njëjta gjë që nuk po shkon mirë me Amerikën. Dhe për të dyja rastet, rruga e kthimit ka për të qenë shumë e vështirë.
Paul Krugman, New York Times