Site icon PORTALB

Stadiumi i finales së Botërorit 1958 i falet Kosovës

Stadiumi ku legjenda e futbollit, Pele, u bë i njohur në arenën ndërkombëtare do t'i dhurohet Kosovës

Stadiumi ku legjenda e futbollit, Pele, u bë i njohur në arenën ndërkombëtare do t'i dhurohet Kosovës

Stadiumi ku legjenda e futbollit, Pele, u bë i njohur në arenën ndërkombëtare do t’i dhurohet Kosovës. Stadiumi “Rasunda”, që gjendet në Solna të Suedisë, do t’i bëhet dhuratë Federatës së Futbollit të Kosovës nga Federata e Futbollit të Suedisë. Në të vërtetë stadiumi ku u zhvillua finalja e kampionatit botëror të vitit 1958 do të rrënohet në fund të këtij viti, ndërsa të gjitha pajisjet e tij që mund të çmontohen e të shfrytëzohen prapë do të vijnë në Kosovë. Kjo është bërë e ditur të enjten në një konferencë për shtyp të përzgjedhësit të Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, dhe drejtuesve të FFK-së.

Stadiumi ku u luajt finalja e botërorit të vitit 1958 “Rasunda”, ndërmjet Suedisë dhe Brazilit, do të rrënohet në periudhën 10 nëntor – 10 dhjetor të këtij viti. Atë finale e fitoi Brazili me rezultatin 5:2. Pele, atëbotë 17-vjeçar, në këtë botëror u bë i njohur në tërë botën. Në finale shënoi dy gola.

Stadiumi i përfaqësueses së Suedisë dhe klubit AIK do të rrënohet për t’u zëvendësuar me stadiumin e ri, “Friends Arena – Svedbank”, që është duke u ndërtuar po ashtu në Solna të Stockholmit.

“Komplet stadiumi ‘Rasunda” do t’i bëhet dhuratë Federatës së Futbollit të Kosovës. Vlera financiare e kësaj dhurate është shumë e madhe. Dhurata përmban 37 mijë ulëset e stadiumit, shumë cilësore, pastaj sistemi i ndriçimit me standarde të FIFA-s, sistemi i dëgjimit, rrethojat speciale të aluminit për siguri, katër porta lëvizëse, 30 metra tunel lëvizës, ulëset VIP, 12 kioska për shitje të biletave, salla e konferencave e tetë zhveshtore”, ka thënë përzgjedhësi Bunjaki.

Sipas tij, vendimi për rrënim të stadiumit u mor që në vitin 2006. Ai thotë se dhurata është rrjedhojë e marrëdhënieve të mira që ka FFK-ja me Federatën e Futbollit të Suedisë. Sipas Bunjakit, transportin e pajisjeve për në Kosovë duhet ta bëjë FFK-ja.

Më 15 gusht në këtë stadium do të zhvillohet ndeshja miqësore në mes Suedisë e Brazilit, në të cilën prezent do të jetë edhe një delegacion i FFK-së. Ndërsa ndeshja e fundit në “Rasunda” do të zhvillohet më 6 nëntor mes AIK-ut e Malmos. 

Nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se Federata ende nuk ka vendosur se në cilin stadium do t’i dërgojë pajisjet. Sipas tij, transportimi i pajisjeve nga Suedia nuk do të jetë problem.

Exit mobile version