Aleanca për Shqiptarët dega Tetovë ka kritikuar punën e kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi duke thënë se premtimet që i ka dhënë gjatë dy fushatave nuk kanë dhënë asnjë rezultat, ndërkaq deri te Enti Shtetëror për Revizion ka dorëzuar kërkesë për kontrollim financiar, raporton Portalb.mk.
Komuna e Tetovës për Portalb.mk deklarohet duke i hedhur poshtë akuzat e ASH-së, ndërkaq shton se ata nuk i ndjekin agjendat e “partiçkave me forcë politike prej dy deputetëve”.
“Komuna e Tetovës ka ndërtuar 8.2 km rrjet të ujësjellësit dhe qendrën më moderne të stacionit të filtrimit. Kanë përmendur deponinë, kanë harruar të vënë parashtresën “ish deponinë”, për shkak se në hyrje të qytetit ka qëndruar ai vendi që ishte deponi, tani më ai lokacion është zhbërë sepse ne kemi ndërtuar stacionin e ngarkim-shkarkimit që është në rrugën për në fshatin Trebosh, dhe këto janë fakte evidente që qytetarët i shohin. Komuna e Tetovës, absolutisht nuk ndjek agjendat e “partiçkave“ politike që janë me forcë politike dy deputetë“. Thuhet në reagimin e Komunës së Tetovës ndaj pres konferencës së Aleancës për Shqiptarë dega Tetovë.
Portalb.mk ka kontaktuar edhe me Revizionin Shtetërorë nga ku thonë se kanë pranuar kërkesë nga Aleanca për Shqiptarët, ndër për dy-tre ditë do të japin raport për situatën e Komunës së Tetovës mbi revizionet e kryera për vitet 2015, 2016 dhe 2017.