Site icon PORTALB

Mungesë konsensusi për drejtimin e procesit të dialogut

Thaci dhe Mogerini, foto arkivi

Partitë politike opozitare në Kosovë vazhdojnë të kundërshtojnë ose të vënë në pikëpyetje rolin drejtues të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, në procesin e dialogut në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata e kanë vlerësuar si të papërshtatshëm presidentin Thaçi, në këtë rol.

Kundërshtimet e tilla janë rishfaqur në kohën kur dialogu në Bruksel pritet të hyjë, siç është thënë, në fazën përfundimtare, e cila pritet të përmbyllet me një marrëveshje juridikisht obliguese për palët.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, tashmë ka miratuar një platformë për dialogun politik me Serbinë, ku roli udhëheqës i besohet presidentit të shtetit.

Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se roli drejtues i presidentit Thaçi në dialogun e Brukselit është i papranueshëm për subjektin politik që ai i takon. Sipas tij, qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje bazohet në përvojat e deritashme që kanë dalë nga dialogu i Brukselit, kur palën e Kosovës e kishte kryesuar Thaçi. Siç thotë deputeti Selimi, marrëveshjet e nënshkruara nga Thaçi, kanë qenë të dëmshme për Kosovën.

“Jo vetëm i papërshtatshëm, por është edhe i dëmshëm, për shkak se ai mbron marrëveshjet e nënshkruara me Serbinë, ku të njëjtat janë në interes të Serbisë. Qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, ai i mbron interesat e Serbisë përballë Kosovës. Prandaj, është jo vetëm i papërshtatshëm, por është edhe i dëmshëm dhe në këtë rast është edhe i papranueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje, mendoj edhe për pjesën tjetër të opozitës, por edhe për shoqërinë e Kosovës”, thotë Selimi.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike të Kosovës, parti kjo po ashtu opozitare, e ka vlerësuar platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun politik me Serbinë, si pa përmbajtje dhe e cila nuk definon asgjë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, rreth dy javë më parë, në një konferencë për media, pati theksuar se presidenti Thaçi nuk ka arritur ta sigurojë unitetin e spektrit politik për dialogun.

Exit mobile version