Site icon PORTALB

Raportohet se Mueller i ka dorëzuar pyetje avokatëve të Trumpit për kontaktet me Rusinë

Robert Mueller

Robert Mueller

The New York Times po raporton se këshilltari i posaçëm Robert Mueller i ka dhënë një listë të pyetjeve avokatëve të presidentit amerikan, Donald Trump, si pjesë të hetimit të tij mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale dhe nëse Trump ka penguar drejtësinë.

The Times, ndërkaq, më 30 prill raportoi se posedon listën e pyetjeve, duke thënë se ato variojnë nga motivimet e mundshme që Trump shkarkoi drejtorin e FBI-së, James Comey e deri te cilat ishin kontaktet e fushatës së Trumpit me rusët, transmeton REL.

The Times ka thënë se hetuesit vazhdojnë të jenë të interesuar të dinë nëse veprimet e presidentit përbëjnë pengim të drejtësisë dhe duan ta intervistojnë atë për disa ngjarje.

Shumica e pyetjeve që Times ka thënë se posedon, kanë në qendër çështjen e pengimit të drejtësisë, përfshirë këtu edhe reagimin e Trumpit pasi Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions u tërhoq nga hetimi për Rusinë, një vendim të cilin Trumpi e ka kritikuar.

Avokatët e Trumpit kanë refuzuar që të komentojnë për këto raportime.

Në njërën prej pyetjeve të siguruara nga Times, Mueller e pyet Trumpin nëse ai ka ditur se stafi i fushatës së tij, përfshirë ish-drejtuesin e fushatës, Paul Manafort, kanë kontaktuar me Moskën.

Një pyetje tjetër është se çfarë diskutimesh mund të ketë pasur Trumpi gjatë takimit me presidentin rus, Vladimir Putin. Mueller pyet po ashtu nëse presidenti mund të ketë ditur për përpjekjet e mundshme të dhëndërit të tij, Jared Kushner, për të ndërtuar një kanal me Rusinë përpara inaugurimit të Trumpit.

Këshilltari Mueller gjithashtu pyetgjithashtu për takimin e qershorit të vitit 2016, në Kullën Trump së bashku me avokatët rusë, nëse nga ta është kërkuar informacione për të dëmtuar rivalen Hillary Clinton.

Një tjetër pyetje drejtuar Trumpit, është nëse presidenti ka ofruar që ta falë ish-këshilltarin e tij për siguri kombëtare, Michael Flynn.

Exit mobile version