Policia maqedonase ende vazhdon t’i kërkojë kolegët nga Kosova Malsor Dashin dhe Armend Trena të cilët akoma nuk janë gjetur edhe pas kërkimit 24-orësh, transmeton Portalb.mk.
Në kërkim janë kyçur edhe njësitë speciale të forcave policore të Kosovës, zjarrëfikës, policia kufitare e Maqednisë, por edhe popullata e Kaçanikut.
Ndryshe, Malsor Shemsedin Dashi dhe Armend Mifail Trena janë zhdukur që nga mbrëmja e së shtunës pas një aksidenti në rrugën Hani i Elezit-Kaçanik.
Policia e Kosovës thotë se për shkaqe ende të panjohura, vetura në të cilën gjendeshin dy policët kishte humbur kontrollin dhe kishte dalë nga rruga, duke rënë nga një lartësi në rrjedhën e lumit Lepenc.
Vetura në të cilën ndodheshin policët është nxjerrë nga lumi, ndërkohë që dje gjatë ditës janë bërë kërkime nga FSK-ja, njësitë për kërkim-shpëtim dhe banorët e komunave Hani i Elezit dhe Kaçanik.
Gjatë ditës së djeshme, edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga ai maqedonas, Zoran Zaev, të ndihmojë për gjetjen e tyre.