Të paktën 427 mijë njerëz janë prekur nga përmbytjet për shkak të shirave të dendura anembanë Somalisë në muajin prill, njoftoi Këshilli Norvegjez i Refugjatëve (NRC), transmeton Anadolu Agency (AA).
“Stafi ynë në terren ka parë të moshuar, gra dhe fëmijë që përpiqen të mbijetojnë, ndërsa strehët e tyre të brishta janë të mbushur me ujë të ndenjur”, tha drejtori i NRC-së Victor Moses në një deklaratë.
“Komunitete të shumta të zhvendosura po strehohen në zona që mund të ndikohen nga përmbytjet. Qasja e kufizuar në tualete të duhura dhe ujë të pastër në çdo çast mund të shkaktojë shpërthimin e sëmundjeve si kolera dhe malaria”, paralajmëroi Moses.
Të enjten, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se “afro 175 mijë njerëz janë zhvendosur si pasojë e përmbytjeve të lumenjve në shtetet Hirshabelle, Jugperëndim dhe Jubaland si dhe në rajonin Banadir.
“Nuk janë raportuar viktima të reja njerëzore që nga përditësimi i fundit, kur u gjetën tre persona të mbytur”, shtoi zyra e OKB-së.
OKB tha se “reshjet e dendura do të vazhdojnë gjatë javës së ardhshme si brenda Somalisë, ashtu edhe brenda maleve të Etiopisë”.
Autoritetet lokale somaleze i kishin kërkuar qeverisë federale dhe agjencive humanitare që të ndihmonin personat që janë në kushte shumë kritike, ka njoftuar agjencia somaleze e lajmeve SONNA.