Site icon PORTALB

FIFA procedurë disiplinore kundër Rusisë për racizëm

FIFA

 Federata Botërore e Futbollit (FIFA) për shkak të racizmit ka hapur procedurë disiplinore kundër Federatës ruse të Futbollit, vetëm dy muaj para Kupës së Botës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Masa kundër pritësit të Botërorit u hap për shkak të zërave “majmuni” dërguar lojtarit të kombëtares franceze Paul Pogba gjatë ndeshjes miqësore me Rusinë në Shën Petersburg muajin e kaluar. Pas mbledhjes së provave, FIFA njoftoi se ka hapur procedurë disiplinore kundër FF të Rusisë.

Federata Ruse u dënua më parë në dy raste për sjellje raciste të tifozëve të saj në kampionatet evropiane. Në të dyja rastet FF e Rusisë pagoi gjobën e dënimit.

Ky është rasti i tretë i racizmit në këtë sezon në stadiumin në Shën Petersburg, i cili do të jetë nikoqir i ndeshjeve të Kampionatit Botëror.

Më parë, Klubi i Futbollit Zenit në dy raste ishte përballur me sanksione të Federatës Europiane të Futbollit (UEFA) për racizëm gjatë ndeshjeve të Ligës së Europës.

Kupa e Botës në futboll do të mbahet nga 14 qershori deri më 15 korrik të këtij viti në Rusi.

Exit mobile version