Presidenti Thaçi zhvilloi një bisedë telefonike me kancelaren Merkel
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.
Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e presidentit Thaçi thuhet se tema kryesore të bisedës ishin forcimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe domosdoshmëria e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton REL.
Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa, kancelarja Merkel, sipas të njëjtës komunikatë, e ka përgëzuar presidentin Thaçi për rolin konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe për funksionalizimin e Ekipit Menaxhues, që është kompetent për hartimin e draftit të Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.