Site icon PORTALB

Osmani: Delegacioni Evropian në Prishtinë ka angazhuar kompani për ndërtimin e vendkalimit kufitar Stançiq- Bellanovc

Bujar Osmani

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani

Pasi që dje zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani nëpërmjet profilit të tij në facebook njoftoi se është kompletuar dokumentacioni për realizimin e projektit të ndërtimit të vendkalimit kufitar Stançiq- Bellanovc, sot i pyetur nga Portalb.mk se çka konkretisht do të thotë kompletimi i dokumentacionit dhe kur pritet nisja e ndërtimit, ai tha se që sot kompania e angazhuar nga Delegacioni Evropian mund të fillojë me punë, transmeton Portalb.mk.

“Leja e ndërtimit ka qenë problem , për shkak se ju kam treguar disa herë, objekti i pikës kufitare gjendet në dy anët e kufirit dhe ligjet e Maqedonisë dhe të Kosovës japin leje ndërtimi vetëm për objekte që kanë tërësi funksionale. Ky objekt as në Maqedoni nuk e ka tërësinë funksionale për shkak se vetëm gjysma e objektit është në Maqedoni kurse gjysma e objektit në Kosovë. Jemi të detyruar të ndryshojmë edhe ligjin që të mundësojmë për pikat kufitare të mos vlejë kjo rregull dhe pas peripetive të shumta shumëvjeçare përfundimisht dje Ministria e Transportit ka nënshkruar lejen e ndërtimit dhe prej sot kompania që e ka angazhuar pala kosovare, Delegacioni evropian në Prishtinë mund të fillojë me punë dhe mekanizim për ndërtimin e objektit”, tha Bujar Osmani pasi prezantoi Planin 1-6-9 në një pytetje të gazetarëve.

Ndërsa sa i përket emrit të kompanisë e cila duhet t’i kryejë punimet, Osmani tha se duhet pyetur te Delegacioni BE-së në Prishtinë për shkak se, siç tha, ka qenë obligim i tyre për të angazhuar kompaninë.

Exit mobile version