Site icon PORTALB

Derisa në Kuvend miratohen ligjet, zëvendëskryeministri Osmani thotë se reformat janë bërë! (FOTO)

Bujar Osmani

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani

“Vij me lajme të mira nga Republika e Maqedonisë. Ashtu siç edhe premtuam para nëntë muajve, i bëmë brenda afatit reformat për Raportin e Komisionit Evropian që pozitivisht të vlerësohet progresi ynë”, kështu i ka thënë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë, Bujar Osmani – përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, njofton Portalb.mk.

Bujar Osmani para se të miratoheshin ligjet në fjalë në Kuvendin e Maqedonisë ka thënë se në momentin e fundit u sigurua konsesusi politik.

“Edhe në këtë moment, në këto ditë të fundit, deri sa mbajmë këtë takim, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, po miratohen edhe ligjet e fundit reformuese për të cilat është e nevojshme përkrahja e dy te tretave të deputetëve dhe për çka në momentin e fundit, me opozitën, u sigurua konsensusi i nevojshëm”, ka thënë Osmani.

Mogerini – Osmani

Osmani është takuar edhe me përfaqësues të Parlamentit dhe Këshillit Evropian

Pas takimit me Mogerinin, zëvendëskryeministri Osmani ka realizuar takime edhe me drejtoreshën e Departamentit për Ballkanin Perëndimor pranë Drejtorisë për zgjerim (DGNEAR), Genoveva Ruiz Kalavera, me euro-parlamentarin holandez, Hans Van Baalen i cili kryeson grupin “Miqtë e Maqedonisë” në Parlamentin Evropian dhe me shefin e kabinetit të Kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, Pjotr Serafin.

Në takime u hapën tema për integrimin evropian të Republikës së Maqedonisë, në kontekst të perspektivave evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Republika e Maqedonisë në mënyrë aktive përgatitet për implementimin e proceseve të iniciativave kryesore të Strategjisë për zgjerim me vendet e Ballkanit Perëndimor 2025, që paraqet mjet kryesor për përmbushjen e kritereve për pranimin e vendeve – kandidate, si dhe konvergjencën e shoqërisë me vendet tjera evropiane”, ka thënë Osmani.

Në këtë drejtim Osmani shprehu kënaqësinë nga suksesi i deritanishëm të implementimit të Planit 3-6-9, duke potencuar intencën e Qeverisë planifikon të vazhdojë me procesin reformues, menjëherë pas marrjes së Raportit nga ana e Komisionit Evropian me 17 prill, me të cilën agjenda Evropiane sërish do të mbahet në fokusin e saj.

Ndryshe, më 17 prill do të publikohet raporti i rregullt i Strategjisë për zgjerim i Komisionit Evropian dhe raportet e tij për secilin shtet veçmas. Pas kësaj, më 17 maj mbahet Samiti i Këshillit Evropian për Ballkanin Perëndimor në Sofje të Bullgarisë, më qershor realizohen takim i Këshillit të përgjithshëm të BE-së dhe Këshillit Evropian me konkluzione të rëndësishme, në korrik kryesimin me BE-në e merr Austria, në korrik zhvillohet samiti i Londrës aktivitet ky që realizohet në kuadër të procesit të Berlinit dhe deri në fund të vitit 2018 zhvillohet debat i thellë me të gjitha vendet anëtare për ardhmërinë e Bashkimit Evropian edhe pas vitit 2025.

Exit mobile version