Site icon PORTALB

TË HUMBUR NË LEXIM

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Sot lexohet shumë. Kudo sheh njerëz të humbur në lexim. Njerëz me sy të ngulitur në celularë. Vetëm një pakicë, fare e vogël, e parëndësishme, gjurmon nëpër biblioteka virtuale. Pra, nuk është çështje se nuk lexohet, por çka lexohet. Të lexosh pa gjykim kritik është si puna e Don Kishotit. Sojliu, i ndikuar nga romanet kalorësiake, humbi kontaktet me botën reale dhe hyri në një botë virtuale.

Sot jetojmë në botën paralele. Një udhëtar, derisa priste të lirohej një rruga e bllokuar, i thoshte gazetarit: “Presim të shkojmë në punë. As Facebook nuk kemi”…

Predrag Matvejeviqi, gjatë një  vizite në Rusinë sovjetike, siç shkruan te libri “Epistolari lindor”, kudo shihte njerëz të humbur në lexim. Për ata letërsia ishte një dritare shpëtimi, por letërsia soc – realiste i largonte nga bota reale. Njerëzit jetonin me gënjeshtrat e “punëtorëve kulturorë”, “inxhinierëve të shpirtit”. Një shkrimtar dogmatik thoshte se njerëzit duhej të vepronin vetëm sipas linjës partiake, sepse këtë ua mësonte lexuesve letërsia sovjetike. Ideologjia ishte ngatërruar me artin. Gladkovi thoshte se “thjeshtësia dhe fuqia e fjalive, sipas stilit të Stalinit, janë shembull për ne shkrimtarët”. Shkrimtari tjetër, Babeli shtonte: “Të shohim si Stalini e farkëton stilin e tij që të na shërbejë si shembull për ta zbukuruar gjuhën tonë”, kurse shkrimtari Shollohov (madje edhe nobelist) vazhdonte: “Unë shkruaj sipas diktatit të zemrës, por zemra ime rreh për partinë”…

Pra nuk është e rëndësishme se sa lexojmë, por çfarë lexojmë. Leximi i tepërt nuk na shpëton nga injoranca dhe mashtrimi. Shumësia e informacioneve të kota është e barabartë me mungesën e informacioneve. Lexuesi i mirë merret me informacionet e shkallës më të lartë dhe ka vetëdije kritike. Si i tillë është më pak i manipulueshëm në këtë kohë kur propaganda është shumë e sofistikuar dhe paketohet si informacion i shkallës më të lartë.

Sot mediat elektronike dhe virtuale flasin me “gjuhën e re” që e përmend Oruelli. Kjo gjuhë pa mendim e dominon përditshmërinë tonë. Moderatorët mediokër nuk u mjaftuan me kontaminimin e hapësirës publike me ide të gatshme, por filluan të botojnë edhe libra, që i reklamojnë si kryevepra. Librat me vlerë nuk përmenden fare. Një moderator thoshte se botimit të dytë të librit i kishte shtuar disa faqe sepse ja kërkonte aktualiteti! Çfarë libri mund të jetë ai që humb nga aktualiteti brenda dy – tre muajve? Edhe shumica e botuesve nuk dallojnë nga moderatorët mediokër. Flasin me pasion për libra pa asnjë vlerë që i botojnë. Na flasin për “fabulën” e librit. Tregojnë përralla.

Shoqëria jonë ngulfatet nga diktatura e aktualitetit, prandaj merremi vetëm me politikanët dhe njerëzit e spektaklit. Politikë, kuzhinë e palestër. Nuk na intereson përvoja e së kaluarës. Nuk i referohemi dijes sociologjike. Jetojmë në botën ku reflektorët ndriçojnë vetëm politikanët dhe njerëzit e spektaklit. Në cilin vend të botës lajmet fillojnë dhe mbarojnë vetëm me politikanë? Në cilin vend mediat informojnë, madje, edhe për punën e komisioneve parlamentare? Pastaj reflektorët drejtohen te “vipat”, që kanë filluar t’i marrin nëpër studio edhe fëmijët e tyre. Duan t’i katapultojnë si personalitete të së ardhmes…

Sot në provincat tona më nuk të tallin pse lexon publikisht: në autobus apo në kafene. Provinca, që nuk e duron madhështinë e veçantisë, nuk të tall kur lexon në celular. Ajo nuk e duron vetëm librin në formë të shtypur. Celularët i shpëtuan lexuesit e librave nga shikimet përçmuese të provincës. Ata sot mund të lexojnë libra të vlefshëm në formate digjitale, teksa provinca jonë mendon se lexojnë statuse Facebooku të gjithologëve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version