Juan Cuadrado është një prej protagonistëve të këtij sezoni për Juventusin.
Futbollisti kolumbian, i cili ka pasur edhe probleme fizike, në ndeshjet më të vështira të bardhezinjve ka dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe kjo u pa edhe në përballjen me Milanin, që “Zonja e Vjetër” e fitoi 3-1, me Cuadradon që shënoi një prej golave të skuadrës së tij, transmeton TCH.
Megjithatë, e ardhmja e tij te kampionët e Italisë është ende e pasigurtë dhe kontrata e tij skadon në vitin 2020. Drejtuesit e Juventusit e kanë bërë të ditur tashmë se dëshirojnë rinovimin me futbollistin dhe se gjithçka është gati, pritet vetëm firma e Cuadrados në kontratën e re.
Diçka që lojtari ende nuk e ka bërë, pasi fillimisht dëshiron të kuptojë se si do të shkojnë gjërat për trajnerin të cilin e vlerëson në maksimum, duke ditur se edhe Massimiliano Allegri e konsideron të rëndësishëm për skemat e tij. Nëse Allegri do të konfirmohet në pankinën e torinezëve, atëherë rinovimi i kontratës së Cuadrados do të jetë një formalitet. Në rast të kundërt, kolumbiani do të studiojë të gjitha ofertat që tashmë kanë ardhur nga klube jashtë Italisë për të.