Avokati i Popullit me një sërë kritikash për administratën publike, Ministria: Pajtohemi me udhëzimet

Urgjentisht të ketë ndryshime konkrete radikale në administratën publike, që të kemi administratë profesionale dhe efikase e çliruar nga ndikimet partiake. Kjo është kërkesa e Avokatit të Popullit, Ixhet Memeti, të cilën e ka publikuar në raportin e tij vjetor, në të cilën thotë se struktura e partizuar dhe jo-profesionale krujon probleme serioze për qytetarët, njofton Portalb.mk.

“Korniza ligjore për administratën publike, si dhe struktura e partizuar dhe jo-profesionale, në praktikë krijon probleme serioze për qytetarët. Në një vend janë mbledhur të gjithë nëpunësit, janë përcaktuar dispozita të cilat nuk janë të zbatueshme dhe kushte të cilat as për së afërmi nuk e garantojnë administratë profesionale, kualitative dhe të pa-politizuar. Punësimet partiake në administratë në nivel lokal edhe më tutje janë të pranishëm dhe sidomos të njëjtit vihen në dukje me mos-vazhdimin e kontratave në kohë të caktuar në procesin arsimor. Dukuria e këtillë është veçanërisht karakteristike pas proceseve zgjedhore, e që çon në konkludim për “shpërblimin e personave lojalë partiakë”, dhe keqpërdorimin klasik të punës së personave të angazhuar paraprakisht. Përveç kësaj, është rritur edhe numri i qytetarëve të cilët kërkojnë mbrojtje nga diskriminimi mbi të gjitha bazat, përfshirë edhe bazën politike dhe mbrojtjen nga mobingu në marrëdhënien e punës”, thotë Memeti.

Njëherësh, ai rekomandon që të mbindërtohet korniza ligjore me qëllim të pengimit të keqpërdorimit të institutit “punësime me kohë të caktuar”, dhe në këtë mënyrë edhe shfrytëzimit të mundit të punëtorit. Pos kësaj, Memeti gjithashtu rekomandon që të përforcohet seriozisht mbrojtja nga diskriminimi, identifikimi i të njëjtit nga kompetentët, si dhe sanksionimi i veprimeve të këtilla, gjithashtu edhe mbrojtja e të punësuarve nga mobingu.

Ndaj këtyre kritikave, ka reaguar edhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA), e cila thotë se pajtohet me udhëzimet e Avokatit të Popullit dhe se ata po punojnë që të tejkalohen problemet.

“Strategjia e miratuar për administratën publike (2018-2022), parasheh, profesionalizim dhe digjitalizim të administratës publike. Në këtë mënyrë do të sigurojmë administratë publike e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve, administratë e cila shpejtë, thjeshtë dhe lirë do t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve. Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë në pjesën e dytë të vitit 2018, do të hapë debat të gjerë publik për ndryshimet në ligjin për administratorët. Por edhe parashohim që në Strategjinë për Reforma në Administratën Publike, këto ndryshime për të cilat do të bien darkord të gjitha palët të ndodhin gjatë vitit 2019-të. Vetëm në këtë mënyrë me qasje sistematike, me kyçjen e të gjitha palëve dhe vullnet politik do të sigurohen reforma kualitative dhe thelbësore në administratën publike”, thuhet në kumtesën e MSHIA, transmeton Portalb.mk.

Sipas tyre, administrata në periudhën e kaluar është shfrytëzuar si mjet për realizimin e agjendave politike të pushtetit paraprak. Për ndryshim të gjendjes reale në atë pjesë, por edhe të percepcionit të qytetarëve, MSHIA vlerëson se janë të nevojshme ndryshime afatgjate.

Ndryshe, depolitizimi i administratës është një nga shtyllat kryesore që janë apostrofuar si kërkesa nga Brukseli në rrugëtimin e Maqedonisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në raportin e Komisionit Evropian u tha se: “Maqedonia ka pasur disa përparime për sa i përket menaxhimit me resurset njerëzore në administratën publike mirëpo edhe ato kanë qenë të pakta dhe të pamjaftueshme në zbatimin e rekomandimeve të KE-së në vitet paraprake. Në vend së te kishim pezullime të administratorëve, kontratat e tyre u përmirësuan dhe kaluan kontrata të përhershme pa ndonjë konkurs publik. Kryerja e punës në mënyrë joefektive, kalimi i sektorit të administratës publike në instrument politik, presionet ndaj të punësuarve dhe partizimi i sektorit të administratës janë shqetësuese. Mungesa e vullnetit politik për të realizuar reformat e nevojshme në sektorin publik çoi në uljen e ndihmës së BE-së në vitin 2016″, u tha në raportin e KE-së.

Ndërkaq, çështja e partizimit të administratës publike u parashtrua edhe në raportin e Pribesë: “Duhet të respektohen rregulla, si për shembull në përdorimin e fondeve publike dhe administratës publike për aktivitete partiake”, u tha në raportin e Pribesë.

Në bazë të të dhënave të raportit vjetor të publikuara në fillim të këtij viti nga Ministria e Shoqërisë Informatike, administrata shtetërore numëron 129 mijë të punësuar, por analizat e sektorit civil kanë nxjerrë në pah se ky numër është shumë më i lartë, madje duke arritur mbi 184 mijë, përfshirë këtu dhe të angazhuarit me kontratë në vepër.

Administrata publike llogaritet si më e mbingarkuara nga vendet e rajonit. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka qetësuar punonjësit e administratës publike duke thënë se pavarësisht se si janë punësuar, ata që kryejini me nder punën, nuk do të dëbohen nga puna.

Problemi me administratën publike nuk është stërngarkimi, por “libreza partiake”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button