Site icon PORTALB

Shija e hidhët e kundërshtimit të Ligjit për gjuhët

Xhabir Ahmeti

Xhabir Ahmeti

VMRO-ja është në krizë të thellë. Madje ajo e tërheq bishtin e saj si bollë e vrame. Nuk e ka lehtë tash. Udhëheqja dikur me shumë privilegje dhe me pushtet të gjatë, sot ballafaqohet me rreziqe përçarjesh me pasoja të paparapara. Prandaj duan të krijojnë krizë në mbarë vendin duke akuzuar shqiptarët.

Politika e gabuar ekonomike e VMRO-së, në radhë të parë, mosrealizimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe administrata e stërmadhe e saj, e sollën këtë vend të vogël në breg të bankrotit. Përveç kësaj, një pjesë e kreut partiak dyshohet se është pasuruar në mënyrë jashtëligjore. Këto ndoshta janë arsyet që ata përpiqen të dalin nga kjo situatë e papëlqyeshme në të cilën u gjetën pas dështimit për formimin e qeverisë. Në mungesë mënyre dhe argumentesh që të dalin nga ky siklet, ata po kërkojnë shteg në kinse “mbrojtjen e shtetit”, në “mbrojtjen e gjuhës maqedonase” dhe në “mbrojtjen e popullit”. Shteti, thonë, është i rrezikuar nga Ligji për gjuhët, me këtë edhe populli maqedonas, identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase. Pra këto tri-katër vlera, që i takojnë popullit maqedonas, propaganda mediative, ajo e tribunave të ndryshme dhe protestave të njëpasnjëshme të udhëhequra nga persona që kryesisht kanë dështuar në karrierën politike keqpërdoren për t’i manipuluar masat, për t’i nxitur ata që të krijojnë atmosferë të nderë dhe nxitjen e konflikteve ndëretnike. Veç kësaj kjo propagandë popullin maqedonas e quan “më të lashtin”, “trashëgimtar të Lekës së Madh”, e quan edhe “biblik”, “të përvuajtur”, një popull heroik i cili i ka bërë ballë asimilimit gjatë shumë shekujve nën çizmen e robërisë osmane e serbe, por që tash u rrezikuaka nga Ligji për gjuhët, i cili na qenka më i rëndë se robëria shekullore. Disa politikanë opozitarë, një numër i konsiderueshëm gazetarësh e mediash, profesorësh uneversitarë, intelektualësh për të gjitha këto “fatkeqësi” të popullit maqedonas fajin e kërkojnë te shqiptarët. Prandaj kanë ngritur një fushatë të egër kundër gjuhës shqipe, i mohojnë kulturën dhe historinë popullit shqiptar dhe luftojnë kundër multikulturalizmit, duke kërkuar unitetin e maqedonasve dhe vazhdimisht e theksojnë rolin që ka populli për ruajtjen e “vlerave” që i ngre e që i shpall të rrezikuara propaganda. Me këtë rast duhet të theksohet se bëhen përpjekje të mobilizohet edhe kleri ortodoks maqedonas për “mbrojtjen” e këtyre vlerave. E gjithë kjo “ilustrohet” me parulla të shkruara në shumë vende ku kërkohet vdekja e shqiptarëve.

E gjithë kjo ta jep një shije të hidhur.

E gjithë kjo në fakt shpie kah konflikti ndëretnik me pasoja të paparishikueshme.

E gjithë kjo është një dezha vy në Italinë e Musolinit dhe në disa vende të Evropës, gjë që shkaktoi dramën më të dhembshme të historisë njerëzore.

Fatkeqësisht zjarrit i fryn edhe presidenti i vendit.

Në vend se të angazhohet për një bashkëjetesë e barabarësi të plotë midis të gjithë qytetarëve dhe bashkësive etnike të Maqedonisë dhe të përqendrohet në problemet tjera që janë me rëndësi jetësore për vendin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version