Site icon PORTALB

Mëkati i paditurisë

Ejup Ajdini

Shkruan: Ejup Ajdini

Më rastisi që të dëgjoj broçkulla fetare në një rreth të caktuar dhe ky takim më nxiti që të marr lapsin e të shkruaj diçka, sa për të thënë më lirshëm mendimin  tim.

Njerëzit që nuk e njohin kombin e vet, ata nuk e njohin edhe perëndinë ( Zotin). Zoti i madhërishëm në Kur’anin famëlartë thotë: U dërgova në fise (sot nënkuptohen kombet), që pastaj ta njihni njëri tjetrin. A nuk mjafton kjo që të kaptojmë se edhe kombi ynë është i barabartë me të tjerët, i cili erdhi në këtë botë si dhuratë e Perëndisë. Kombet janë dhurata e Zotit, që përmes gjuhës, zakoneve. traditave dhe  vendbanimeve, bëri edhe identifikimin e tyre.  Hajdeni sot, kjo botë e zhvilluar me të gjitha teknologjitë e mundshme, le të bëjë formimin e një kombi të ri, që nuk do t’i ngjaje asnjërit nga kombet ekzistuese të kësaj bote?!

Pra, kombet janë mrekulli e Perëndisë, jo prodhim i fabrikave!… O ju të mjerë, o ju të sëmurët e Ballkanit, a nuk thotë Profeti Muhamed se arapi nuk ka diçka tepër nga të tjerët, atëherë ju të mjerët e Ballkanit pse i madhëroni të paditurit, që edhe Zoti nuk është i kënaqur me injorancën e tyre, kurse ju tentoni t’i nënçmoni popujt e zhvilluar, të cilët i madhështon perëndia gjithnjë e ma shumë.?! Pastaj shkoni edhe më larg, pasi keni prirje që të mohoni edhe veten duke nënvlerësuar atë që është gjithëkombëtare.

A nuk thotë Zoti se vetëm njerëzit e dijes do ta kenë vendin e parë në parajsë, pasi ngjyra e pendës së dijetarit barazohet me gjakun e dëshmorit?! U nuk thotë Zoti se ai që mëson – studion një natë, Ai ia njeh 1000 “nafile” namaz?! A nuk thotë profeti Muhamed se të gjithë ata që do i vijnë në ndihmë gjuhës së vet, ata do të jen të ndritur nga ana e Zotit?!… A nuk mjaftojnë këto thënie që ta kuptoni realitetin e jetës, të kombit dhe të fesë. A nuk e shihni se keni mbetur pa fe, pa komb, pa Zot, dhe do të “digjeni” atje ku e keni vendin?!. A nuk e shihni se djegia e juaj ka filluar që në këtë botë?! A nuk e shihni se myslimanët çdo ditë në Siri vrasin gra, pleq dhe fëmijë mysliman?! A nuk e shihni se jemi duke vrarë vetveten?!

Pse vjen kjo? Kjo vjen nga injoranca jote, pasi e ke tradhtuar rrugën e Zotit! Ti nuk lexon, nuk punon sa duhet dhe ke mbetur i pa ditur, pa profesion, pa zanat…! Ti nuk e njeh veten tënde dhe nga mosnjohja e vetvetes, mundohesh të mbrosh injorancën tënde dhe popujt me ngjyrë, duke sharë e tradhtuar farën dhe fisin (kombin) tënd. Ti s’ke fuqi të mbrosh askënd. Thjesht askënd. Vetëm Zoti na mbron të gjithë neve… Ti e tradhton kombin në emër të fesë, por ty nuk e njeh as veten e as Islamin dhe pavetëdijshëm tradhton edhe fenë tënde… Të gjithë janë islam në këtë botë,  përveç injorantëve, kriminelëve dhe të paudhëve, të cilët thirren për të ditur, të zgjuar e human. Islami është paqe, është dituri, drejtësi e lumturi, jo si ju që jeni duke u hëngër vëlla me vëlla për hiç gjë!Kuptoejeni mirë pragmatizmin fetar, e jo dogmatizmin fetar.

Edhe mjeku japonez kur e shëron një fëmijë, bënë punë islame! Kuptoje mirë Islamin more i gjorë. Edhe amerikani kur prodhon një ilaç bën punë islame, edhe gjermani kur i pranon një milion refugjat nga Siria, bënë punë islame, edhe bota perëndimore kur mbrojti të drejtat e Kosovës bëri një punë islame etj. Me një fjalë, aty ku nuk ka dituri, aty ku nuk ka drejtësi, aty ku nuk ka pastërti dhe aty ku nuk ka paqe, aty nuk ka islam. Hiqni nga mendja idetë tuaja të thata dhe pa asnjë pasqyrim real.

Prandaj, ju të gjorët shqiptarë, që rrihni gjoks për fenë që s’e njihni fare, kthehuni te fjala e parë të Zotit – ykre (dijes- diturisë) dhe nisni kah e mbara dhe vetëm atëherë do ta kuptoni Perëndinë dhe Islamin. Në të kundërtën, injorancën tuaj nuk e pranon asnjë fe dhe asnjë komb. Kotësinë tuaj edhe më hiç nuk e pranon Islami. Prandaj, jepuni pas mbarësisë, diturisë, kulturës, pastërtisë, shkencës, artit, ekonomisë dhe traditës kombëtare në përgjithësi… Besoi Zotit dhe lidhu etikës së pastër fetare dhe humanizmit njerëzor në përgjithësi… Lidhu pas pragmatizmit fetar, e jo pas dogmatizmit. Sa do ta njohësh dhe zbatosh realitetin fetar, sa do ta bësh  të bukur atdheun tënd, sa do të luftosh për  vlerat kombëtare dhe shoqërore në përgjithësi, që gjeneratat  e reja të kenë jetën më të lumtur,  po aq vend të bukur do të gjesh në botën tjetër.

Zoti na i faltë mëkatet që vijnë nga padituria e jonë.

Exit mobile version