Haradinaj përballet me kritikat e ashpra të opozitës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është përballur me kritika të shumta të opozitës në Kuvend. Debati, është zhvilluar sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, parti të cilat e kanë ftuar në interpelancë kryeministrin Haradinaj, shkruan REL.

Me herët, subjekti opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, e ka proceduar edhe në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave për kabinetin e tij qeverisës si dhe për gjyqtarët dhe prokurorët.

Para deputetëve, Haradinaj tha se paga e kryeministrit, ashtu siç është pa rritje, radhitet në pozitën e 69, në një nivel me pagën e kryesuesve të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës. Ai tha se paga e tij është meritore, nëse bëhet një krahasim i përgjegjësive dhe punëve që kryhen nëpër institucione.

“Kjo temë është në Gjykatën Kushtetues. Si e tillë unë pres përgjigjen e gjykatës. Vendimin e kemi pezulluar, sido që të vendosë gjykata ne e respektojmë. Qeveritarët, përfituesit e pagave, bëjeni një matematikë të thjesht e shihni se sa dalin. Janë një pakicë krejt e vogël, ndërsa shumicë si kategori që përfitojnë nga ky vendim janë gjyqtarët dhe prokurorët. T’ ju them të drejtën më dhimbset nëse ky vendim bie, jo për shkak timin apo ministrave, por më dhimbset për shkak të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha kryeministri Haradinaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se vendimi për pagat është në kundërshtim më ligjet e aplikueshme në Kosovë. Ai kërkoi nga Qeveria që ta anulojë vendimin për rritjen e pagave.

“Vendimi është i papranueshëm. Kërkon diferencë të madhe në paga. Vendimi i tillë është i pamatur”, tha Hoti.

Kurse, deputeti Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Qeveria Haradinaj, edhe ashtu me numër shumë të madh të ministrive, me 21 ministra 5 zëvendëskryeministra dhe 70 zëvendësministra, është duke e dëmtuar buxhetin. Ai tha po ashtu se t’ia rrisësh pagën vetës “është hajni”.

“T’ia rrisësh pagën vetes është hajni, është vjedhje, sepse vjedhja nuk është vjedhje sepse bëhet tinëz, por për shkak se është vjedhje. Ka vjedhje açik për shembull kjo rritje e pagave. Kjo është veçse pasojë e fundme e një fenomeni të hershëm”, tha Kurti.

I shpejtë ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Haradinaj, duke i reaguar Kurtit për konstatimet e tij për hajni.

“Qeveria e madhe me zëvendëskryeministra, ministra , e dimë që është harxhim, e dimë që rritja e pagave e ministrave e kryeministrit është harxhim i vendit mund të jenë rreth 30 mijë në muaj 300 mijë a 400 në vit, po i marrim ato i shpërndajmë të shohim çka mundemi të bëjmë me to. Kur të doni i shpërndajmë diku tjetër dhe e shohim se çka përmirësoni”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, ministri i Financave, Bedri Hamza tha se vendimi i për rritjen e pagave nuk ka bërë asnjë implikim në buxhetin e Kosovës dhe, siç u shpreh ai, edhe nëse zbatohet vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave nuk mund te ketë implikime në buxhet. Sipas tij, nuk është hera e parë që në Kosovë kërkohet rritje e pagave në Qeveri.

“Nuk ka pasur asnjë efekt financiar. Nuk është në zbatim, është duke u qartësuar situata juridike”, tha Hamza.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se nuk pajtohen me arsyetimet e kryeministrit të cilat i ka dhënë lidhur me rritjen e pagave.

“Përbën konflikt interesi, kur dikush i rritë pagën vetit, dhe në demokraci të zhvilluara këto janë të parandaluara. E dyta ka të bëjë me arsyetimin e dhënë, të parën e nuk e marr seriozisht, blerjen e kravatave, por të dytën për shmangien së korrupsionit e marr më seriozisht. Besoj se lufta kundër korrupsionit është çështje e bindjes, pra kur ke bindje nuk varesh prej nivelit të pagës”, tha deputeti Abdixhiku.

Deputetët e partive politike në pushtet kanë arsyetuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave. Ata kanë vazhduar debatin duke u kthyer përgjigje kritikave të deputetëve në opozitë.

Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, kishte marrë vendim për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar, ndërkaq më pas edhe për punonjësit e sistemit të drejtësisë.

Ky vendim më pas ishte pezulluar nga vetë kryeministri Haradinaj, pas një vërejtjeje që kishte parashtruar Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, e cila e kishte cilësuar vendimin e kryeministrit si të paligjshëm.

Ndërkohë, partitë opozitare vendimin e Haradinajt për rritjen e pagave e kanë dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese për interpretim.

Vendimi i Qeverisë kishte ndikuar që edhe punonjësit e sektorit të shëndetësisë dhe ata të arsimit të kërkojnë rritjen e pagave. Edhe pse që nga fillimi i këtij viti, punonjësit e sektorit publik kanë marrë pagat me rritje prej 4 për qind. Sindikata e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë është shprehur e pakënaqur me rritjen aktuale, duke kërkuar që rritja të realizohet nga 15 deri në 25 për qind.

Edhe mjekët specialistë në institucione publike shëndetësore, kanë kërkuar kategorizim, që do t’u mundësonte atyre rritjen e pagave.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka vlerësuar se rritja e pagave apo çdo punësim i ri, duhet të bëhet brenda limitit të rregullës së re për fondin e pagave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button