Protesta e ditës së premte dërgoi mesazh të fuqishëm deri te politika shqiptare, që të vendoset në nivelin e detyrës për të cilën është votuar. Kështu vlerësojnë analistët politikë Mersel Bilalli dhe Artan Sadiku. Protesta e mijëra njerëzve vetëm vërtetoi se partitë janë shkëputur plotësisht nga qytetarët, thonë ata.
Për analistin Mersel Bilalli, protesta ishte madhështore, dhe ajo duhet të vazhdojë, por duke hequr nga mesi i protestuesve agresorët, provokatorët dhe ata që ushtronin dhunë, sidomos ndaj gazetarëve.
Ai shton se këtyre protestave duhet tu bashkëngjiten edhe komunitetet tjera në vend, maqedonasit, turqit etj, dhe të tregohet mature, pa marrë parasysh se si do të jetë thirrja.
Bilalli thotë se edhe pse protesta pjesërisht ka arritur qëllimin, duhet të formohet një trup që do ta përcillte gjithë procesin gjyqësor për vrasjen e pesëfishtë.
Për publicistin Artan Sadiku për të kuptuar relevancën reale të protestës së ditës së premte, detyrmisht duhet shikuar nga dy perspektiva, nga perspektiva e pushtetit dhe partive në përgjithësi që në raport me qytetarët janë pushtet, pa marrë parasysh a janë apo jo në përbërjen qeveritare dhe nga kjo perspektivë evidentohet zbrazja në rrugë e legjitimitetit të munguar të partive shqiptare.
Perspektiva e dytë sipas tij është ajo e vetë protestës, e organizimit, strukturës dhe porosisë.
‘Përderisa mund të flasim për qytetarë të revoltur, në rastin e kësaj proteste, këtë revoltë nuk mund ta barazojmë me një reaksion si rezultat i emancipimin politik të qytetarëve. Fakti që numër më i madh i qytetarëve mund të bien pre e brohoritjeve me porosi të urejtjes ekstreme, konzervativizmit, nacionalizmit dhe fundamentalizmit të përkrahur nga një grup shum i vogël, flet për dështimin e kësaj proteste nga perspektiva e mobilizimit të qytetarëve të revoltuar’ tha Sadiku.
Thelbi i fatkeqësisë dhe revoltës është baza ekonomike dhe sociale e qytetarëve, të cilët në protestën e së premtes nuk e artikuluan këtë realitet ekonomik, por u mbizotëruan nga kërkesa dhe brohoritje që nuk kanë rezonancë me statusin e tyre të përditshëm, shton ai.
Në Maqedoni që nga përfundimi i aksionit policor Monstrum, janë zhvilluar dy protesta masive, e para më 4 maj vetëm në Shkup, ndërsa e dyta më 11 maj në pesë qytete të vendit, me një kolorit kërkesash ndër të cilat kryesonte ajo për mosetiketimin e gjithë shqiptarëve me radikalizmin islamik.
Protesta arriti që për dy herë të mbledh kryesinë e partisë shqiptare në pushtet, ndërsa partitë opozitare i detyroi që së paku të shprehin qëndrimet e tyre./Portalb/