Site icon PORTALB

Tsipras diskuton me Merkelin për Shkupin dhe Ankaranë

Aleksis Cipras dhe Angela Merkel

Kryeministri grek, Alexis Tsipras ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, pasditen e së martës, gjatë së cilës ai e ka informuar atë për dy prej çështjeve më të mprehta me të cilat përballet politika greke ditët e fundit, siç janë çështja e emrit të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe marrëdhëniet greko-turke, transmeton Top Channel. 

Për sa i përket çështjes së emrit të fqinjit verior të Greqisë, Tsipras i ka theksuar Kancelares gjermane nevojën për një zgjidhje përfundimtare të këtij problemi, në të cilën të përfshihet edhe ndryshimi i emrit kushtetues të këtij shteti.

Gjithashtu, ai iu është referuar gjerësisht provokimeve turke, duke thënë se respektimi i së drejtës ndërkombëtare në Egje dhe Mesdhe nga ana e Ankarasë është kusht për avancimin e marrëdhënieve turko-europiane.

Në të njëjtin kontekst, ai ka informuar Merkelin edhe për bllokimin nga ana e Turqisë të kërkimeve për gaz natyror të kompanive të huaja në Zonën Ekskluzive Ekonomike të Qipros.

Alexis Tsipras do të bisedojë më gjerësisht për problemet e shkaktuara nga Ankaraja, në një takim me Angela Merkelin në Bruksel, të premten, në kuadër të Samitit të 27 vendeve anëtare të BE-së, ndërsa njoftohet se Kancelarja gjermane do të ketë edhe një takim me kryeministrin Zaev, që sipas burimeve qeveritare greke do të jetë përcaktues në ecurinë e negociatave mes Athinës dhe Shkupit.

Exit mobile version