Site icon PORTALB

Reformat dhe motivi në Maqedoni

Teuta Iljazi

Teuta Iljazi

Reformat viteve të fundit në R. Maqedonisë janë të shumëllojshme dhe në sfera të ndryshme. Ditët e fundit jemi dëshmitarë se po punohet në reforma në sferën e arsimit. Arsimi sipas asaj sa mund të vërehet  është sfera ku munden më lehtë “reformatorët “ të kryejnë dhe të realizojnë reforma. Që të bëhet një reformë së pari duhet të deklarohen reformatorët për motivin e reformës.

Në rastin tonë motivin reformatori i ynë a e ka shpalosur? Lexuesi ndoshta do të thotë që reforma është e dedikuar për një arsimim më të mirë dhe arsimim më kualitativ. Çka nënkuptojmë arsimim më të mirë dhe kualitativ? Reformatori a e ka shpalosur kuptimin arsimim kualitativ?

Këtë shkrim e fillova me konstatime dhe pyetje. Atëherë nga rrjedhë konstatimi se reformat janë më lehtë të kryhen në arsim. Ky konstatimi i im është I bazuar në numrin e “reformave” që kryhen në arsim me ndërrimet qeveritare dhe partiake. Reformat e kryera deri më tani kanë qenë reforma në pjesën jo të gjallë të arsimit. Reformat janë kryer nëpër letra, libra, fletore, aty këtu ndonjë karrige e dërrasë dhe shkollë më rrallë. Asnjë reformë nuk është kryer tek pjesa e gjallë, pjesën që frymon në procesin e arsimit –tek mësuesi dhe nxënësi. Shumë më lehtë është të kryesh reformë nëpër letra, të cilat më pas nuk të interesojnë a mbyllen nëpër sirtarë ose rrudhen nëpër duart e dikujt.

Reformatorët nuk kryejnë reformë në pjesën e pagave mujore të mësuesit, i cili në supet e veta bartë përgjegjësi për gjenerata fëmijësh dhe të rinjsh. Mësuesi, i cili brenda ditës duhet të sjellë dhjetëra vendime.  Vendime për materialin që duhet të shtjellojë për secilën lëndë, vendime që duhet të sjellë se si, pse, për çka duhet ta zhvillojë materialin që secili nxënës ta kuptojë atë. Asnjë reformë nuk u angazhua për ta ndërruar statusin e mësuesit në shoqëri. Asnjë reformë nuk siguroi një jetë të rehatshme për mësuesin, i cili ka familje, shtëpi?, sigurim shëndetësor?, pension të mjaftueshëm?.

Asnjë reformë nuk u angazhua që mësuesi të jetë bashkëpjesëmarrës në krijimin e reformave, por angazhohet që mësuesin ta lë në pozitën vetëm të  ekzekutuesit të këtyre reformave.

Në shoqërinë në të cilën jetojmë nuk ndihet zëri i mësuesit, sepse ai është i kërcënuar që do të dënohet me shkurtime nga paga (“ e cila mjafton për tërë muajin”), do ta humb vendin e punës (e tjetër nuk mund të gjejë), do izolohet dhe margjinalizohet e tërë familja (fëmijët dhe të afërmit), e pas gjithë kësaj si mund të reagojë mësuesi i mjerë. Reformat shumë lehtë është ti bësh nëse nuk ke kundërshtarë sepse paraprakisht i ke ngulfatur.

Nuk ka shkollë pa mësues, nuk ka mësues pa nxënës. Si do të bëhen reforma pa nxënës ? Reformatorët asnjëherë nuk realizojnë reforma tek nxënësit duke filluar me sigurimin e ujit të pijshëm për secilin nxënës, duke siguruar ajër të pastër për të gjithë, që janë të drejta elementare të fëmijëve. Reformatorët nuk reformojnë nxënësit që janë pjesë e familjeve të kategorisë sociale  të cilët janë të detyruar ti dërgojnë fëmijët në shkollë pa u siguruar ushqim të mjaftueshëm dhe veshmbathje të nevojshme.

Nxënësit nuk janë pjesë e reformave të cilët duhet të qëndrojnë 5 gjer 6 orë nëpër mësonjëtoret e ftohta dhe të pandriçuara. Nxënësit nuk janë pjesë e reformave të cilët e deformojnë boshtin kurrizor duke i mbajtur çantat e rënda dhe duke u ulur në karrige pa mbështetëse. Nxënësit nuk janë pjesë e reformave sepse janë viktima të mësuesve (jo-kualitativ) që janë punësuar nga ana e partisë në qeveri- reformatorëve.

Reformat bëhen që ti tregojnë popullit se janë më të mirë se reformatori paraprak. Reformat bëhen për të vetmin motiv, I cili është politik e partiak. Nuk është motivi për të krijuar shkollim të mirëfilltë të shekullit XXI, nuk është motivi të krijohen kuadro që do ti shërbejnë vendit, por të dalin jashtë vendit. Cila është parësorë reforma apo motivi?

Exit mobile version