Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, propozoi shndërrimin e operacioneve amerikane në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës në biznes privat.
Këto operacione aktualisht drejtohen nga Qeveria e SHBA-së dhe ajo e Rusisë.
Në buxhetin për vitin 2019 të Qeverisë amerikane, Trump propozoi që t’i jepet fund financimit të NASA-s për stacionin e hapësirës deri në vitin 2025, transmeton REL.
Buxheti do të ndante vetëm 150 milionë dollarë për të inkurajuar zhvillimin privat të stacionit, ndërsa kursimet do të ruheshin për dërgimin e astronautëve edhe një herë në Hënë – çfarë është synim i Trumpit.
Por, ligjvënës amerikanë dhe ekspertë të hapësirës shprehën shqetësim për planin.
Senatori Bill Nelson, i cili ka shkuar në hapësirë në vitin 1986, tha se “fikja e dritave dhe largimi nga hapësira nuk ka kuptim”.
Historiani i pensionuar i NASA-s, Roger Launius, tha se plani do t’i prekë të gjitha shtetet e përfshria në stacionin e hapësirës, përfshirë Rusinë dhe vendet në Evropë dhe Azi që kanë marrë pjesë në projektet e stacionit hapësinor.