Ministri kosovar për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq mendon se vazhdimi i dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit është nga rëndësia e madhe, ndërsa formimi i Asociacionit, hap i nevojshëm për vazhdimin e bisedimeve.
Siç lajmëron korrespondenti i MIA-s, Jevtiq këtë e deklaroi në takimin në Uashington me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Matju Palmer, me të cilin ka diskutuar për situatën aktuale në Kosovë.
Temë diskutimi në këtë takim ka qenë edhe pozita e serbëve në Kosovë, ndërsa Palmer ka shprehur mirëkuptimin dhe mbështetjen për të gjitha proceset që i kontribuojnë stabilitetit, transmeton lajmi.net.
“Ka shumë sfida që na presin këtë vit. Ne duhet zgjidhur disa nga problemet në mënyrë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të ecë përpara dhe të bëhet pjesë e BE-së. Mbështetja e SHBA-së për arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Kosovë ka rëndësi të madhe”, ka deklaruar Jevtiq.
Ai shtoi se vrasja e Oliver Ivanoviqit kërkon një përgjigje në pyetjen kush dhe pse e bëri këtë krim.
Jevtiq ka diskutuar edhe rreth kthimit të të zhvendosurve në shtëpitë e tyre dhe pengesat në rrugën e kthimit.