Site icon PORTALB

Tetë kandidatë garojnë për president të Rusisë

Një fletëvotim për zgjedhjet ruse

Tetë kandidatë do të garojnë në zgjedhjet presidenciale të 18 marsit në Rusi, në të cilat parashikohet fitorja e presidentit aktual, Vladimir Putin.

Lista e kandidatëve është finalizuar kur Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar zyrtarisht kandidimin e Ksenia Sobchak dhe Maksim Suraikin në ditën e fundit të procesit të regjistrimit, transmeton REL. 

Në një takim të transmetuar drejtpërdrejt në Moskë, shefja e komisionit, Ella Pamfilova, ka thënë se tetë kandidatë do të garojnë për zyrën më të lartë të shtetit.

Popullariteti i Putinit, kontrolli i tij në nivelet e pushtetit dhe ajo çfarë e cilësojnë kritiket si vite të tëra të shtypjes së kundërshtarëve, i sigurojnë edhe një tjetër fitore.

Aktivistët opozitarë kanë thënë se në zgjedhjet e kaluara, Kremlini ka përdorur një mori taktikash, gjatë fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve për të manipuluar votimin, në mënyrë që të arrihen rezultatet e dëshiruara.

Sobchak është gazetare dhe personalitet televiziv, e nominuar nga Partia e Iniciativës Civile.

Suraikin është i njohur pak si lider i Partisë Komuniste të Rusisë, e cila është e ndarë nga partia disa herë më e madhe e ashtuquajtur, Partia Komuniste.

Gjashtë kandidatët e tjerë të regjistruar më herët janë Vladimir Putin, Boris Titov, Sergei Baburin, Grigory Yavlinsky, Vladimir Zhirinovsky dhe Pavel Grudinin.

Politikanit opozitar, Aleksei Navalny, kritikut të ashpër të Putinit, është ndaluar e drejta e kandidimit për shkak të një dënimi kriminal, për të cilën ai thotë se ka qenë i motivuar politikisht.

Ai u ka bërë thirrje rusëve të bojkotojnë votimin.

Exit mobile version