Është miratuar Programi operativ sektorial i rishqyrtuar për transport 2014-2020, në suaza të programit IPA 2, përmes të cilit për Maqedoninë janë siguruar 127, 2 milionë euro. Prej tyre, 108,1 milionë euro janë nga programi IPA 2, ndërsa 19,1 milionë euro nga Buxheti i Maqedonisë. Paratë dedikohen për projekte në sektorët hekurudha, rrugë dhe për ndihmë teknike.
“Në sektorin e hekurudhave janë ndarë 71,5 milionë euro dhe do të shfrytëzohen për ndërtimin e një pjese të fazës së tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë, aksi rrugor Kriva Pallankë – vendkalimi kufitar Deve Bair”, kumtoi sot Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Për rrugë janë siguruar 48,7 milionë euro. Me to do të ndërtohet faza e dytë e rrugës eksprese Gradsko-Prilep, aksi rrugor Gradsko-Drenovë, pjesa e tretë e rrugës Gradsko-Prilep, do të rikonstruohet aksi rrugor Kumanovë-Rankovc, aksi rrugor Pletvar, dhe do të ndërrohen rrethojat mbrojtëse të autostradës në Korridorin 10, në gjatësi prej 100 kilometrash.
Shtatë milionë euro, sërish, janë siguruar për ndihmë teknike, përkatësisht përpunimi i dokumentimit projektues për ndërtimin e shtigjeve për biçikleta në Shkup, Tetovë, Shtip dhe Ohër, për zëvendësimin e sinjalizimit në vendkalimet hekurudhore dhe për ndërtimin e nyjes multimodale në Trubarevë.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë fuqishëm është e përkushtuar në realizimin e projekteve kapitale dhe zbatimin e reformave në Sektorin e Transportit me të cilat pritet të përshpejtohet rritja ekonomike e vendit”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.