Në afërsi të urës lindore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, përkatësisht në hyrje të ‘Lagjes së boshnjakëve’, gjatë orëve të vona të së martës vërehen forca të shtuara të KFOR-it.
Aty ndodhen të stacionuara 6 xhipa, si dhe një autoblindë e KFOR-it me ushtarë hungarezë, ndërsa përtej urës ndodhet edhe një patrullë e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se ka prezencë të shtuar edhe të serbëve lokalë tek barrikada në këtë lagje, që ndodhet afër shkollës së mesme teknike, ndërsa nëpër rrugët e veriut pothuajse nuk vërehen fare pjesëtarë të EULEX-it.
Sipas këtyre burimeve, ekziston mundësia që gjatë natës serbët të përforcojnë barrikadën afër shkollës teknike, ndërkohë që parashihet edhe vendosja e barrikadave në disa pika tjera. /Portalb/Kosovapres