Amazoni është bërë brendi më me vlerë në botë, pasi paraprakisht zhvendosi në vend të dytë kompaninë Apple dhe në vend të tretë kampionin e vitit të kaluar, kompaninë Google, raporton Anadolu Agency (AA).
Kompania konsulente “Brand Finance” që bën vlerësimin e bizneseve, publikoi raportin e saj “Global 500”, në të cilin qëndron se gjiganti i tregtimit në internet ka shënuar rritje të vlerës me 42 për qind, më saktësisht nga 106.4 miliardë dollarë vitin e kaluar në 150.8 miliardë këtë vit.
“Amazon është biznesi më i madh i internetit në botë, si në kapitalizimin e tregut ashtu edhe në të hyrat që ka shënuar”, thuhet në raportin “Global 500”, i cili thekson se Amazon nuk është vetëm një tregtar online, sepse tashmë është edhe një prodhues i pajisjeve elektronike.
Një ditë më parë, themeluesi i Amazon-it, Jeff Bezos, u vlerësua si njeriu më i pasur në botë, pasuria e të cilit ka shkuar në 120.5 miliardë dollarë.
Kompania e dytë në listën e brendeve më të vlefshme, Apple, ka shënuar rritje të vlerës me 37 për qind, nga 107.1 miliardë dollarë në 146.3 miliardë.
“Apple ka dështuar në difersifikimin e tij, pasi është bërë shumë i varur nga shitja e produktit të saj më të njohur iPhone, i cili sjell dy të tretat e të hyrave”, thotë raporti, i cili thekson shitjen e dobët të iPhone X me vetëm 29 milionë telefona të shitur.
Ndonëse vitin e kaluar ishte në vendin e parë, Google ka shënuar rënie në vendin e tretë, me rritje të vlerës me 10 për qind, nga 109.5 miliardë dollarë sa kishte vitin e kaluar në 120.9 miliardë këtë vit.
Rankimi i brendeve më të vlefshme në botë vazhdon me gjigatin e Koresë së Jugut, Samsung në vend të katërt dhe Facebook në vendin e pestë.