Site icon PORTALB

Poroshenko: Legjislacioni polak për periudhën naziste, i papranueshëm

Petro Poroshenko

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, thotë se është “thellësisht i shqetësuar” nga legjislacioni i Polonisë, në të cilin disa ukrainas akuzohen se kanë bashkëpunuar me Gjermaninë naziste dhe ka vlerësuar se ai është “kategorikisht i papranueshëm”.

Këto komente ai i ka bërë sot në rrjetin Facebook, disa orë pasi Senati i Polonisë e ka miratuar legjislacionin, me të cilin rregullohet liria e të shprehurit lidhur me Holokaustin dhe krimet e tjera të periudhës naziste.

Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe të tjerët, në mënyrë të ashpër e kanë kritikuar këtë legjislacion, subjekt i të cilit janë të gjithë ata që e akuzojnë Poloninë ose popullin e saj, për bashkëfajësi në krimet naziste. Këta persona mund të ndiqen penalisht dhe mund të dënohen me burg në kohëzgjatje deri në tri vjet.

Mëtutje, së bashku me krimet naziste dhe “komuniste”, ky legjislacion u referohet edhe “akteve të kryera nga nacionalistët ukrainas në periudhën 1925 – 1950, që ishin të involvuar në përdorim të dhunës, terrorit dhe shkeljeve të tjera të të drejtave të njeriut, kundër individëve ose grupeve të popujve”.

Exit mobile version