Site icon PORTALB

Zinxhirët tuaj dhe dielli im – shamia ime

Kujtesa Xheladini

Kujtesa Xheladini

Ju ka rastisur, sigurisht, të dëgjoni për mitin mbi banorët e një shpelle ,të cilën e shpalos  Platoni, në “Mitin e Shpellës”.

Këta, banorë, thotë Platoni nga lindja e tyre janë të lidhur me zinxhirë dhe si të tillë, nuk mund të lëvizin kokën për të parë gjërat që kanë rreth tyre, si dhe zjarrin i cili ua projekton hijet, në murin që kanë përballë. Pra, për ta, realiteti i vetëm që dinë janë hijet, të cilat projektohen falë zjarrit që kanë brenda në shpellë, dhe sigurisht, për ta është e paparamendueshme që të ketë një realitet tjetër, të cilin ata nuk e dinë.

Meqë, që nga lindja e tyre, ata janë të burgosur në një mënyrë të tillë, për ta njohja ka të bëjë me atë që shohin në mur, pra hijet e njerëzve dhe gjësendeve, të cilat ua projekton zjarri, të cilat ata tashmë munden t’i kategorizojnë.

Por, njohja e vërtetë, thotë Platoni, ndodhet jashtë shpellës, kur ata zgjidhen nga zinxhirët e tyre dhe pikasin një rrugë që gjendet jashtë shpellës.

Dhe, dija më e lartë jashtë shpellës është dielli, që me alegori Platoni flet për të mirën supreme.

Kështu, edhe sot, njeriu i tjetërsuar nga idhujt që krijon në mendjen e tij, lidh veten me “zinxhirë”, që me analogji krahasohet me idhujt që krijojmë ne brenda mendjes sonë, e që janë pikëpamjet, bindjet e ndryshme, me të cilat kemi ushqyer veten, ose na ka ushqyer ndokush,  për një kohë të gjatë.

Nisur nga kjo, ajo që dimë ne, dhe që në fakt e llogarisim si të mirë është vetëm hija që na e ka projektuar “zjarri i shpellës sonë”, e që sot ka shumë sosh, duke nisur nga agjendat e ndryshme politike, mediumet etj.

Rrjedhimisht, ne sot,  nisim të akuzojmë, shajmë, e fyejmë çdo njohje tjetër, të cilën na e kumton, ose servon ndokush, por që nuk përfshin spektrin tonë të njohurive.

Ne aq fort e kemi lidhur vetën në terrin e shpellës sonë (lexo: injorancës sonë), sa vështirë edhe të pranojmë “Diellin” jashtë shpellës, gjegjësisht të mirën që ndokush e llogarit si të tillë.

Sot, kur rrugët për  zgjidhjen nga zinxhirët dhe ngjitjen në horizonte tjera lart shpellës që kemi krijuar, na janë lehtësuar aq shumë, ne mëtojmë të rrimë të mbyllur dhe mbytur në shpellën tonë të vockël, duke sharë çdokënd që na tregon horizontet tjera të njohjes së tyre.

Ç’është më e keqja, ne nuk pranojmë kombësinë e njërit, bindjet, e besimin e tjetrit, si dhe format e shprehura të tyre, edhe nën petkun e nocioneve, që për domethënie kanë pranimin, respektin, tolerancën e bashkëjetesën mes këtyre të lartpërmendurave.

Ne kështu, njeriut të sotëm, i servuam idhuj të mendjes, me të cilat ne krijuam pasoja fatale, si: besime të rreme, imazhe të krijuara nga prirja për të ekzagjeruar, pasaktësi nga fjalë të rreme, e rrjedhimisht duke krijuar stereotipe, paragjykime e diskriminime.

Për këtë arsye, edhe në këtë kohë pasmoderniste, me sisteme demokratike, e liberale, femra që shfaq identitetin e saj fetar, me anë të një cope tekstili më shumë në trupin e saj, paragjykohet e diskriminohet, besa edhe terrorizohet, sikur të jetonte në sistemet më autokrate, a totalitare.

Duke e quajtur “zinxhir” këtë copë tekstili, harruan se në fakt ata vetëm se tregojnë shpellën e errët në të cilën gjinden dhe zinxhirët që po i mbajnë të lidhur.

Andaj, në këtë ditë, që për femrat me shami është ditë solidarizuese (jo rrallë edhe ditë shfryrje mllefi nga shpellarët që nuk dinë realitet tjetër jashtë shpelle), si dhe mundësi për ngritje zëri e kërkim barazie, të dalim me mesazhin se: “ Zinxhirë, nuk janë ato pikëpamje/bindje që ne i përqafojmë si  të vërteta, por ato pikëpamje që mendojmë se janë e vërteta e vetme.”

Exit mobile version