Agjencia ndërkombëtare e ndihmës “Save the Children” njoftoi se një pjesëtar tjetër i stafit ka vdekur pas sulmit në zyrat e saj në qytetin lindor afgan të Jalalabad-it, duke çuar në 4 numrin e viktimave.
Zyrtarët afganë thonë se një grup njerëzish të armatosur sulmuan kompleksin “Save the Children”, pasi shpërthyen fillimisht në hyrje të godinës një makinë bombë. Forcat e sigurisë shkëmbyen zjarr me sulmuesit për një kohë të gjatë përpara se gjithçka të merrte fund, transmeton VOA.
Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin.
Zëdhënësja e departamentit amerikan të Shtetit Heather Nauert nëpërmjet një mesazhi në twiter “dënoi me forcë sulmin dhe shprehu ngushëllime më të thella viktimave dhe familjeve të tyre”.
Jalalabad-i është kryeqyteti i provincës së Nangarhar-it, i cili ka qenë një bastion i Shtetit Islamik. Talibanët afganë janë gjithashtu aktivë në këtë zonë, por ata mohuan ndonjë rol në sulmin e së mërkurës.