Site icon PORTALB

NË PRESIDENCË ERDHI NJË PRESIDENT…

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Shkrimtari argjentinas, Jorge Luis Borges-i, kjo mendje e thellë sa universi, një shkrimtar erudit dhe krijuesi i një botë të çuditshme e të magjishme, disi të shkëputur nga realiteti, nuk e duronte presidentin argjentinas, Peronin.

Shkrimtarët shpesh herë bien në konflikt me autoritetet politike. Ndonjëherë, për çudi, mahniten prej tyre.

I tillë ishte edhe Borges-i, që ra në konflikt me një president, por qe mahnitur prej një tjetri.

Në kohën kur Peroni ishte president Borgesin e emëruan inspektor tregjesh publike. Borges-i, që e refuzoi këtë emërim, thoshte: “Në presidencë erdhi një president, të cilit nuk kam dëshirë t’ia përmend emrin”.

Më vonë tha për Peronin se ishte “një fundërrinë që e prishi të gjithë vendin”, kurse për përkrahësit e presidentit tha se asnjëherë nuk kishte takuar ndonjë njeri që të ishte edhe i zgjuar edhe peronist.

Presidenti Peron, megjithatë, nuk i ngjante presidentin të Republikës Dominikane, Joaquin Balaguerit, për të cilin na flet Mario Vargas Llosa te “Festa e Cjapit”.

Balagueri, ndryshe nga Peroni, vetëm i miratonte vendimet e të tjerëve.

Balagueri, ky president kukull, vetëm i miratoi urdhrat e diktatorit Trujillo, në kohën e të cilit nxënësit recitonin nëpër shkolla: “Zoti, atdheu dhe Trujillo“.

Balagueri miratoi edhe urdhrat e shefit famëkeq të shërbimit sekret Xhoni Abesit.

Balagueri kënaqej me gradat e pushtetit.

Balagueri punoi vetëm për Balaguerin.

Balagueri, ky president heshtak, një mumie e heshtur, që miratonte vendimet e çmendura të diktatorit dhe kështu e mbronte “lëkurën e tij”, sapo Trujillo nuk ishte më dhe sapo Xhoni Abesi e kishte humbur fuqinë, mori një vendim të zgjuar dhe e mbrojti vendin nga gjakderdhja.

Historia përsëritet, por jo çdo president mund të marrë një vendim të zgjuar, qoftë një herë të vetme përgjatë jetës së tij politike.

Ka prej tyre që gjithë jetën mbeten si kukullat ruse të quajtura matrioshka.

Presidentët e këtillë, që nuk dua t’ua përmend emrat, janë fatkeqësia e një kohe dhe mund të jenë personazhe për komediografët e ardhshëm…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version