Hetimi për ndërhyrjen ruse, merret në pyetje edhe kryeprokurori

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions u mor në pyetje për disa orë gjatë javës së shkuar nga zyra e prokurorit special, në kuadër të hetimit për përfshirjen ruse në zgjedhje dhe për të zbuluar nëse presidenti ka penguar drejtësinë që kur ka marrë detyrën, transmeton Top Channel. 

Takimi shënon herën e parë, që hetuesit e prokurorit special Robert Mueller marrin në pyetje një anëtar të kabinetit “Trump”.

Lajmi u publikua nga “New York Times” dhe u konfirmua nga një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë, pasi gazeta kërkoi informacione për këtë.

Marsin e shkuar, kryeprokurori Jeff Sessions tha se nuk do të jetë pjesë e hetimit për ndërhyjen ruse, meqë kishte qenë pjesë e fushatës. Por, lëvizja e kryeprokurorit u bë pasi ai nuk informoi Kongresin se ishte takuar dy herë me ambasadorin rus në SHBA, gjatë fushatës presidenciale.

Lajmi për marrjen në pyetje të Sessions vjen ndërsa ka raporte se drejtori i FBI-së, Christopher Wray kërcënoi me dorëheqje, për shkak të presionit të Sessions dhe Trump për të shkarkuar zëvendësin e tij, Andrew McCabe.

Si Prokuror i Përgjithshëm, Sessions ishte i përfshirë thellësisht në shkarkimin e ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, por qëndrimi larg hetimit bën që Sessions të mos ketë asnjë kontroll mbi prokurorin special Mueller, gjë për të cilën presidenti Trump është ankuar shpesh.

Sessions ishte pjesë e një grupi të vogël zyrtarësh të fushatës dhe administratës, që prokurori special Robert Mueller nuk kishte intervistuar ende. Pavarësisht këmbënguljes së medieve, Departamenti i Drejtësisë nuk dha detaje se për çfarë u pyet specifikisht Sessions gjatë intervistës dhe si u përgjigj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button