Maqedoni, nxënësit kthehen në bankat shkollore
Rreth 270.000 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme, në mesin e të cilëve edhe 20.000 brucoshë, sot kthehen në bankat shkollore që të vazhdojnë mësimet e gjysmë vjetorit të dytë të vitit shkollor 2017/2018, njofton Portalb.mk.
Gjatë kohës së pushimit dimëror, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i kumtoi ndryshimet që i planifikon për planet mësimore dhe programet për gjeneratën e klasave të para.
Pas revizionit të planeve për klasën e parë do të ketë revizion të planeve arsimore për planet e klasës së dytë dhe të tretë.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska tha se fokusi është vënë te tre klasat e para.
Për planet arsimore të klasës së parë do të ketë debate publike që të dëgjohen mendime nga arsimtare. Aplikimi është planifikuar nga shtatori në disa shkolla.
Me miratimin e aplikimit të planit të ri, nuk do të vlejë më programi i Kembrixhit për klasat e para, por librat e adaptuara nga Kembrixhi për klasën e parë do të mund të konkurrojnë së bashku me librat e autorëve vendas nëse janë përkatëse për programin e ri.