“Ligji për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale nuk do të tërhiqet, por ngelemi të hapur për diskutim”, deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, në lidhje me vërejtjet e disa shoqatave se ligji është kundër-kushtetues dhe diskriminues, njofton Portalb.mk.
“Do të doja të di pse këto shoqata në shumë debate publike që i kemi pasur nuk e kanë treguar qëndrimin e tyre, por e tregojnë nëpërmjet brifingje në opinion. Ligji nuk do të tërhiqet pasi që në pajtueshmëri me informatat të cilat i kam për një takim në Odën Ekonomike të Maqedonisë, pjesëmarrësit nuk e ndajnë këtë mendim. Megjithatë, ngelemi të hapur për diskutim dhe debat publik, dhe jo pas dyerve të mbyllura, ta zgjidhim këtë problem dhe absolutisht jam i sigurt se do të gjejmë zgjidhje”, tha Mançevski.
Ndryshe, para disa kohës, zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski deklaroi se propozim-ligji për shërbime audio dhe audiovizuale përpara se të hyjë në procedurë qeveritare, me kërkesë të tyre, do të shkojë edhe njëherë në shqyrtim në Komisionin Evropian.
Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.