Site icon PORTALB

Krimet e luftës, Vukotiq sot në Gjykatë

Vukotiq

Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës pritet që të vazhdojë gjykimi kundër të akuzuarit për krime lufte ndaj popullatës civile gjatë vitit 1999 Zoran Vuktoiq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e akuzon Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në mes datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor rezervist, nga stacioni i policisë në Vushtrri në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë nga radhët e forcave serbe, mori pjesë në  sulmin ndaj popullatës civile shqiptare, e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Epërme në Studime të Poshtme.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, popullata civile në  mënyrë të qëllimshme i ishte nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të shumta, dëbimit, si dhe aplikimit të masave të terrorit.

Në  mesin e këtyre civilëve të  vrarë, plagosur dhe të trajtuar në  mënyrë johumane për të cilët i akuzuari bart përgjegjësi direkte ose në bashkëpunim me të tjerë ishin: Ekrem Mulaku, Xhavit Mulaku, Fatmir (Ahmet) Gërxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Ademi, një  14 vjeçar i paidentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu dhe Musa Gërxhaliu./Kallxo

Exit mobile version