Site icon PORTALB

Shikohen mundësitë nëse ushtarët turq mund të gjykohen në Greqi

Athina është duke parë mundësitë nëse mund të gjykojë në Greqi, tetë ushtarët turq, të cilët ikën nga vendi i tyre pas puçit të dështuar, njofton REL.

Ministri grek i Drejtësisë, Stavors Kontonis, ka thënë se Turqia duhet të bëjë kërkesë zyrtare për një gjykim të tillë. Megjithatë, një kërkesë e tillë nga autoritetet turke, duket si e pamundshme, pasi Ankaraja deri më tash ka kërkuar dy herë ekstradimin e ushtarëve të saj, në mënyrë që ata të përballen me drejtësinë në gjykatat turke.

“Mundësia që ata të gjykohen këtu, për krimet që kanë kryer jashtë këtij vendi janë duke u shikuar”, ka thënë Kontonis.

“Kryeministri (Alexis Tsipras) ka thënë se ata duhet të kenë gjykim të drejtë”, ka thënë ministri grek, duke shtuar se një gjë e tillë do të ishte e mundur nën Kodin Penal të Greqisë.

Tetë ushtarët e Turqisë, kishin ikur në Greqi më 16 korrik 2016. Ata akuzohen nga autoritetet në Turqi si tradhtar.

Që prej tentim grusht-shtetit, autoritetet turke kanë burgosur 50 mijë persona dhe mbi 150 mijë janë suspenduar nga puna.

Exit mobile version