Site icon PORTALB

Viti 2018 kyç për çështjen e emrit

Greqi - Maqedoni- BE

Takimi i këshillit ministror, mbledhje me grupin parlamentar të SYRIZA-s dhe takim tet-a-tet Cipras-Kamenos, janë disa nga hapat e ardhshëm të mundshëm të kryeministrit grek lidhur me çështjen për emrin, sipas mediumeve greke, lajmëron korrespondenti i MIA-s nga Athina. Konfirmim zyrtar nuk ka, megjithatë gjatë ditëve të kaluara, pasi që kontesti mes Maqedonisë dhe Greqisë u bë temë kryesore tek fqinji jugor, gazetarët dolën me analiza të ndryshme, në të cilat, mes të tjerash, i përmendin edhe skenarët që të mbahet mbledhje qeveritare me të gjithë ministrat e Qeverisë dhe ata nga SYRIZA, si dhe ata nga Grekët e Pavarur, për t’u takuar deputetët nga partia në pushtet, nën dirigjimin e Aleksis Cipras, por edhe eventualisht të mbahet takim i dy partnerëve të koalicionit, e tërë kjo me qëllim që të mënjanohen dallimet rreth pozitës nacionale për emrin.

Sipas të gjitha deklaratave edhe nga Athina zyrtare por edhe nga Shkupi zyrtar, viti 2018 mund të jetë kyç për të dy vendet. Optimizmi është i pranishëm në të dy anët e kufirit për mbylljen e kontestit të vjetër mbi një çerek shekulli.

Ky optimizëm filloi nga shefi i diplomacisë greke, kur më 26 tetor në konferencë për shtyp në MPJ-në greke, për herë të parë, në mënyrë të zgjeruar dhe hollësisht foli për çështjen e emrit.

“Unë besoj se në 6 muajt e parë të vitit 2018 do të duhet të zgjidhet kjo çështje Nëse nuk zgjidhet, do të ketë vështirësi të mëdha. Nëse zgjidhet, nevojiten 3-4 muaj për procedura byrokratike në OKB, të parashtrohen vërtetime, që do të thotë se do të arrijë deri në fund të vitit 2018”, tha atëherë Koxias në takimin me gazetarë.

Këtë qëndrim, për zgjidhje në 6 muajt e parë të vitit 2018, mediumet greke e ndërlidhën me takimin e ardhshëm të NATO-s në korrik të këtij viti, duke e parashtruar si afat të fundit për arritje të marrëveshjes.

Për ngjarjet e fundit në relacionin Shkup – Athinë dhe optimizmin e dy vendeve, korrespondenti i MIA-s nga Athina, ka biseduar me Joanis Armakolas, profesor në universitetin e Selanikut Maqedonia dhe shef i programit për Evropën Juglindore në fondacionit grek për politikë të jashtme ELIAMEP, i cili thotë se ekziston vullnet tek dy palët për zgjidhje.

“Situata është më e mirë nga cilido moment tjetër në 10 vitet e fundit, sipas kësaj duhet të ketë optimizëm sepse u zhbllokua çështja. Por, nuk do të doja që të jem optimist i madh”, komentoi Armakolas dhe thotë se nuk nevojitet optimizëm i madh sepse problemi ka shumë parametra, ka shumë çështje, të cilat janë të vështira për t’u zgjidhur dhe për këtë, siç thotë, “nevojitet koordinim nga bashkësia ndërkombëtare, nevojitet vullnet i mirë nga të gjitha palët, vullnet i mirë nga opozita në dy vendet, si zgjidhja do të prezantohet para opinionit”, cilat do të jenë hollësitë nga marrëveshja etj”.

“Ekziston progres i madh, ekziston vullnet shumë i madh nga ana e qeverisë së re në Shkup. Mendoj se kjo është meritore që u zhbllokua çështja, por duket se edhe nga pala greke ekziston disponim i mirë dhe interes që të ecim përpara”, analizoi për MIA-n, profesori Armakolas.

Ai thotë se përveç emrit, ekzistojnë edhe çështje tjera, siç është shtrirja e përdorimit, afati kohor, te,a tjera të ndërlidhjes me emrin, ndërsa e gjithë kjo e bën gjithë problemin të ndërlikuar dhe për këtë nga dy palët nevojitet edhe punë e mundimshme në afat të kufizuar kohor për zgjidhje.

Kërkesat e Athinës për zgjidhje erga omnes, respektivisht emër edhe për përdorim të brendshëm  edhe të jashtëm, nga njëra anë dhe pako marrëveshje që do t’i përfshinte të gjitha elementet: emër, gjuhë, identitet, fjalë të formuara, akronime, emra tregtarë dhe ngjashëm nga ana tjetër, hap çështje në cilën mënyrë do të arrihet marrëveshja. “Ekuacion i rëndë” e karakterizuan mediat greke çështjen e emrit pikërisht për shkak të qëndrimeve të caktuara që janë të ndryshme në Shkup dhe Athinë. Ekuacioni është në mënyrë shtesë i ndërlikuar edhe për shkak të qëndrimit të partnerit të koalicionit në qeveri Panos Kamenos, i cili tashmë vite me radhë i qëndron pozicionit të tij, se linja nacionale është ajo e vitit 1992 pas takimit të liderëve në pallatin presidencial, kur kryetarët e partive politike greke vendosën që të mos pranojnë emër me termin të kyçur Maqedoni. Siç njofton korrespondenti i MIA-s, nga Athina, lideri i Grekëve të pavarur, në asnjë mënyrë, siç deklaroi publikisht, nuk do të pranojë emër të ndërlikuar me fjalën Maqedoni. Nga qeveria greke, sipas mediave, presin që zgjidhja eventuale të marrë dritë të gjelbër nga parlamenti, me mbështetje të deputetëve nga partitë opozitare. Për këtë edhe shefi i diplomacisë greke në intervistën për televizionin shtetëror ERT para 2 javëve, shprehu bindje se në parlamentin grek ekziston shumicë e deputetëve, e jo shumicë e partive për marrëveshjen eventuale për emrin. Por, Demokracia e Re e sulmoi qeverinë se nuk ka linjë të vetme dhe të përbashkët,  kërkoi Cipras dhe Kamenos që të kontraktohen dhe të dalin me qëndrim të njëjtë, në të kundërt, të japin dorëheqje. Nga partia opozitare thonë se nëse marrëveshja nuk mbështetet nga dy partitë që janë koalicion në qeveri, ata nuk do të votojnë pozitivisht për zgjidhjen eventuale.

Për shkak të çështjes së Shkupit, u rrëzua një qeveri, do të bie edhe e dyta?”, komentoi një pjesë e mediave greke në periudhën e kaluar pas ngjarjeve të fundit në Greqi dhe kritikave në relacionin pushtet – opozitë. Nuk është i vogël numri i mediave, të cilët paralajmërojnë se nëse Cipras dhe Kamenos nuk gjejnë zgjidhje të përbashkët, nuk përjashtohet mundësia që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Megjithatë, këto informacione kategorikisht i përgënjeshtrojnë nga qeveria greke, me sqarime se zgjedhje do të ketë në vjeshtë të vitit 2019 kur edhe përfundon mandati 4 vjeçar i qeverisë. Gazeta “Ta nea”, siç transmeton MIA, para disa ditëve analizoi se Kamenos ka dy opsione: deri në fund të mbetet në pozicionin e tij, qeveria ta humb shumicën, ndërsa partia Grekë të Pavarur ta risë rejtingun, i cili momentalisht, sipas agjencive është i vogël dhe rreth 2,5 për qind  (kufiri më i ulët për hyrje në parlament është 3 për qind) dhe sërish të hyjnë në parlament pas zgjedhjeve. Opsioni i dytë për Kamenosin, sipas “Ta nea” është që ta ndërrojë qëndrimin, diçka që nuk do të ndodh për herë të parë, duke pasur parasysh se edhe në të kaluarën ka votuar pozitivisht për gjëra, për të cilat paraprakisht ka pasur qëndrim negativ. Me këtë, do t’ia vazhdojë jetën qeverisë, ai do të mbetet ministër i Mbrojtjes, por partia e tij, në zgjedhjet e ardhshme do të rrezikojë të mbetet jashtë parlamentit.

Edhe krahas të gjithave, optimizmi edhe më tej është i pranishëm dhe të gjithë janë në pritje të takimit të ri të ndërmjetësit Methju Nimic me negociuesit e dy vendeve, që do të mbahet, me siguri në fund të muajit.

Exit mobile version