Site icon PORTALB

Britani, zjarri shkatërron mbi 1000 automjete në Liverpool

Ilustrim

 Një zjarr masiv shkatërroi më shumë se 1.000 automjete në një parking makinash shumëkatëshe në Liverpool, në veriperëndim të Anglisë, natën e së dielës, raporton Anadolu Agency (AA).

Zjarri shpërtheu vonë pasditen e së dielës në parkingun e automjeteve që ndodhet pranë Echo Arena, disa orë para fillimit të garës ndërkombëtare me kuaj.

“Hetimet fillestare tregojnë se zjarri aksidental brenda një automjeti ka shkaktuar djegien e automjeteve të tjera”, thuhet në deklaratën e policisë Merseyside.

Aty thuhet se “të gjitha automjetet e parkuara në parking janë shkatërruar”.

Shërbimet zjarrfikëse thanë se 12 kamionë zjarrfikës luftuan me stuhinë e zjarrit në parkingun me një kapacitet prej 1.600 automjetesh.

Zjarri detyroi autoritetet të zhvendosin kuajt nga Echo Arena duke i dërguar në një vend të sigurt, si dhe shkaktoi anulimin e ngjarjes. Qindra vizitorë mbetën të bllokuar me makinat e tyre të shkatërruara, njoftojnë mediat lokale.

Gara Ndërkombëtare mbahet në këtë arenë dhe do të përfundonte me ngjarjen e së dielës ku pritej pjesmarrja e rreth 4.000 mysafirëve.

“Askush nuk ka pësuar plagë të rënda”, thotë policia. Poashtu raportohet se asnjë kafshë nuk u lëndua.

Exit mobile version