Site icon PORTALB

Meta me një letër Trampit i shpreh keqardhje për votimin e Shqipërisë në KB

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dje ka dërguar letër deri te presidenti amerikan Donald Tramp, në të cilën shprehu keqardhje lidhur me votën e djeshme të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA-së.

“Vota kundër aleatit dhe mikut tonë të madh, është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës dhe as me parlamentin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA-së në momentet më të vështira të ekzistencës së tij”, theksohet në letrën e Metës deri te Trampi.

Ai shton se personalisht do të kërkojë shpjegime për këtë qëndrim dhe dhe vendim të Qeverisë, që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesave tona kombëtare”.

Edhe më herët gjatë ditës, përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, presidenti Meta kishte theksuar ndër të tjera se “ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”.

“Shqipëria ka konsoliduar në 27 vite, një qëndrim të rreshtuar krah qëndrimit amerikan për çështjet e Lindjes së Mesme. Për herë të parë Shqipëria ka ndryshuar qëndrim dhe është rreshtuar me shumicën e vendeve të BE-së”, ka thënë lideri i opozitës më të madhe shqiptare, Partia Demokratike, Lulzim Basha.

Exit mobile version