Mej fton Zaevin në Samitin për Ballkanin Perëndimor në Londër
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar i Britanisë së Madhe dhe Iralndës Veriore, Çarls Garet sot kryeministrit Zoran Zaev i bëri ftesë nga kryeministrja Tereza Mej për Samitin për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në Londër në korrik të vitit të ardhshëm në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në letër, kryeministrja britanike thekson se qëllimi i Samitit në Londër është të mbështeten vendet e Ballkanit Perëndimor në përkushtimin e tyre për marrëdhënie të mira fqinje, bashkëpunim rajonal dhe adresim të sfidave në këto procese.
Kryeministrja Mej përkujton se liderët në Samitin e Triestes janë pajtuar se integrimet janë “investim strategjik në paqen, demokracinë, prosperitetin, sigurinë dhe stabilitetin e Evropës në tërësi” dhe shton se Britania e Madhe është e gatshme të ndihmojë me ekspertiza dhe përvoja për progres më të fuqishëm. Duke theksuar se mbështetja e Britanisë së Madhe në rajon është afatgjate, kryeministrja Mej thekson se e mbështesin rajonin në rrugën euroatlantike të tij.
Pres shërbimi qeveritar kumtoi se kryeministri Zaev në takimin me ambasadorin britanik është falënderuar për mbështetjen që ia jep Britania e Madhe Republikës së Maqedonisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor.
Dy bashkëbiseduesit kanë biseduar për rëndësinë e temave të planifikuara të cilat do të diskutohen në Samitin në Londër. Në pjesën e sigurimit të prosperitetit, planifikohet fokusi të vihet në lidhjen midis shteteve, energjetikës, digjitalizimit dhe sipërmarrësisë, ndërsa në pjesën e sigurisë në ballafaqimin me korrupsionin, krimin e organizuar, lëvizjen e njerëzve dhe mallrave, terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.
Kryeministri Zaev ka paralajmëruar se Maqedonia do të japë kontribut aktiv në të gjitha çështjet e rëndësishme të cilat do të jenë temë e Samitit.
“Qëllime strategjike të Republikës së Maqedonisë janë integrimet në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Jemi të vetëdijshëm se vetëm së bashku, si rajon, përmes bashkëpunimit të mirë fqinjësor ekonomik dhe politik mund të sigurojmë progres dhe të kontribuojmë drejt sigurisë dhe zhvillimit edhe për shtetet edhe në kuptimin më të gjerë edhe unë si kryeministër edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë fuqimisht jemi të përkushtuar në këto qëllime dhe procese”, theksoi Zaev.