Site icon PORTALB

LDK me një sërë akuzash ndaj 100 ditëshit të Haradinajt

Avdullah Hoti

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një konferencë për media të mbajtur sot, foli rreth Raportit të punës së Qeverisë për 100 ditët e para të qeverisjes duke e vlerësuar si një raport të dobët, të shkruar keq dhe të pasaktë. Hoti theksoi se ky raport reflekton mungesën e kompetencës profesionale të Qeverisë, mungesën e vizionit dhe përkushtimit për reforma, mashtrimet elektorale, pasaktësi dhe tendenca për mashtrim dhe mos koordinim të punëve në mes të resorëve të Qeverisë, transmeton Koha.net.

Hoti deklaroi se punët e mëdha nuk kanë marrë zgjidhje: “Ushtria nuk ka buxhet, kushtëzimet nga lista serbe, pastaj Demarkacioni doli në pah se ka qenë kauzë e rrejshme dhe qytetarët vazhdojnë të mbeten të izoluar, Dialogu me Serbinë mbetet pa platformë ku edhe Presidenti involvohet në mënyrë jo ligjore. Ndërsa sa i përket vizave, është rikthyer kriteri i luftës kundër korrupsionit si kusht”, tha Hoti. Sipas tij e vetmja punë e madhe është numri i madh i zëvendësministrave.

“Kjo qeveri në këto 100 ditë, ka marrë vendime jo ligjore si: falja e borxheve 60 milionë euro, ndarja e 2.5 milionë eurove nga rezerva e shtetit, shkarkimi jo ligjor i bordeve të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura dhe në kompetencë të Kuvendit, shpronësimet në Hade dhe Shipitullë , në të cilën është involvuar edhe Kryeministri”, u shpreh Hoti.

Sipas Grupit Parlamentar të LDK-së, 90 % të detyrave janë të qeverisë së kaluar, si Kontrata për Kosovën, Marrëveshja për MCC, projektligjet nga Qeveria paraprake si dhe vendimet e Qeverisë për lirimet doganore nga Pako Fiskale 2.0. Po ashtu, çështja e qenve endacak është çështje e cila është kryer në Qeverinë paraprake. Ndërsa, anomali është ajo që MBPZHR thotë se i ka bërë përgatitjet për mbjellje vjeshtore dhe Ministria e Drejtësisë Ministria e Drejtësisë thotë se ka aprovuar dhe filluar të zbatojë Planin Zhvillimor Strategjik 2018-2021, ose kryerjen e 87 autopsive, apo nxjerrjen e akteve ligjore nga komunat që janë raportuar në raportin e qeverisë.

Në këtë konferencë u tha se raporti në fjalë tregon qartë mungesën e çfarëdo plani për reforma ekonomike. “Rritja ekonomike prej 7% ka qenë deklarim pa asnjë bazë, sepse Buxheti prej 2 miliard euro është i njëjtë me buxhetin e vitit 2017”, theksoi Hoti duke shtuar se në raport shihet qartë se ministritë e reja vetëm sa po shpenzojnë mjete pa asnjë efekt.

Grupi Parlamentar i LDK-së vlerëson se në këtë raport nuk jepen informata për humbjet buxhetore nga: Kontrata për pasaporta 5.3 milionë euro, Axos Capital, është kryer seanca përfundimtare, rasti i PTK-së me Z-Mobile dhe rasti i Postës së Kosovës ndaj Qeverisë prej 3.2 milionë euro.

“Pa këtë Qeveri fare, gjendja do të ishte më e mirë dhe vendi nuk do të humbte 60 mil euro taksa të qytetarëve, si dhe nuk do të ndaheshin 2.5 mil euro nga rezerva”, tha Hoti. Ai po ashtu, përmendi tërheqjen nga anëtarësimi në Interpol, nga Këshilli i Evropës, UNESCO si dhe izolimin ndërkombëtar të Kosovës duke e vlerësuar diplomacinë e tanishme si jo efektive.

Exit mobile version