Zgjerimi dhe rikonstruimi i rrugës rajonale Harçinë-Likovë nuk arrin të përfundoj as pas shumë vitesh. E projektuar për tu zgjeruar para shumë vitesh dhe me studim të kryer fizibiliteti rruga që lidh shumë fshatra mes Haraçinës dhe atyre ë Likovës është përfunduar vetëm në më pak se 10 përqind.
Rebalancet e shumta të buxheteve të viteve të kaluara kanë sakrifikuar disa herë rekonstrukcionin e shumë përfolur të këtij aksi rrugor si në pjesën e Shkupit ashtu edhe në atë të Likovës.
Në pjesën e rrugës që lidh Hasanbegun me Harqinën deri në Nakushtak akoma nuk kanë filluar punimet për zgjerimin dhe sanimin e rrugës.
Kryetari i Komunës së Harçinës Bastri Bajrami për Portalb, thotë se janë bërë të gjitha matjet dhe studimet e rrugës por puna ka ngecur, pasi mjetet e ndara për këtë aktivitet janë tërhequr me rebalancin e buxhetit.
‘Kjo është një ndër rrugët më të frekuentuara rajonale, rruga rajonale 101, për të cilën po flasim lidh 24 fshatra dhe është e një interesi jetik për banorët e këtyre fshatrave të cilët e frekuentojnë çdo ditë për të udhëtuar në Shkup dhe Likovë’, thotë kryetari i komunës së Haraçinës Bastri Bajrami.
Bajrami thotë se nuk është i informuar nga Ministria se kur mund të aktivizohet projekti dhe të fillohet me zgjerimin e rrugës, dhe se nuk beson se ajo mund të arrihet gjatë këtij viti, duke e pasur parasysh se buxheti mund edhe më tej te shkurtohet.
Rikonstruimi i rrugëve në Likovë është kryer pjesërisht, kryetari i komunës së Likovës, Sadulla Duraku thotë se megjithatë ajo që u premtua para dy viteve nuk është realizuar për shkak të rebalancit të buxhetit.
Sipas projektit për më vonë ishte paraparë rikonstruimi dhe zgjerimi i rrugës rajonale deri në Haraçinë, mirëpo që deri tani nuk ndodhi një gjë e tillë për shkak të ndërprerjes së fondeve me rebalancet e buxhetit që po ndodhin gjatë këtyre dy viteve, thotë Duraku.
‘Gjithashtu ishte e paralajmëruar që gjatë vitit 2011 ishte e planifikuar të asfaltohet edhe rruga nga Sllupçani e deri në Bellanoc në vendkalimin që duhet të hapet me Kosovën. Por as kjo nuk ka ndodhur deri tani’ thotë Duraku.
Rruga rajonale Haraçinë-Likovë është një ndër rrugët më të frekuentuara në Maqedoni, ajo lidh afro 24 fshatra. Kjo rrugë gjarpërore ka shënuar shumë aksidente trafiku, për shkak se nuë shumë pjesë të saj ajo është e ngushtë sidomos në disa pjesë malore ku kalon./Portalb/