Artistja Anxhela Peristeri ka arritur të triumfojë në edicionin e 19-të të festivalit “Kënga Magjike”.
Plot 20 artistë u ngjitën në natën finale të festivalit “Kënga Magjike 2017” të mbajtur në Pallatin e Kongreseve, ndërsa Anxhela Peristeri me këngën e saj “E çmendur” rezultoi të jetë më e votuara nga artistët pjesëmarrës, transmeton Telegrafi.
“Kënga “E çmendur” është një kompozim i Kledi Bahitit, ndërsa vargjet e saj janë shkruar nga Olti Curri.
Vendi i dytë shkoi për artisten Elhaida Dani me këngën e saj “E ngrirë”, ndërsa vendi i tretë për Fifin dhe këngën e saj shumë të suksesshme, “Zhurmë”.
Artistja Elhaida Dani është shpërblyer në natën finale të festivalit “Kënga Magjike 2017” me “Çmimin e Kritikës”.
Ky çmim cilësohet si një nga çmimet më të rëndësishme të festivalit, sepse jepet për këngën më me vlera, dhe për fituesin e tij kalohet në një skaner profesionalizmi deri në imtësi.
E pra, kënga “E ngrirë” e Elhaida Danit ishte e duhura për këtë çmim. Kjo këngë është një kompozim i vet këngëtares, dhe është orkestruar nga Darko Dimitrov.
Vet Elhaida në një intervistë për telegrafin kishte rrëfyer se kjo këngë është një nga më të bukurat që ka sjell këtë vit, ndërsa ndjehet shumë e lumtur që është pjesë e natës finale.
“Kënga Magjike” ka dhuruar në çdo edicion çmimin “Jon Music” – çmim ky që mban emrin e djalit të producentit Ardit Gjebrea, Jon Gjebrea.
Ky çmim iu dhuruar artistit të ri Klinti Çollaku, i cili është i njohur për publikun nga spektakli i talenteve “The Voice of Albania”.
Klinti këndoi në skenën e Pallatit të Kongreseve, këngën e tij “Më s’më gjen”.
Festivali “Kënga Magjike 2017” dhuroi edhe çmimin “Best Etno Trend”.
Ky çmim shkoi për këngën më interesante të festivalit, e miksuar në një stil më të veçantë, e që kësaj radhe i takoi Rovena Dilos, për këngën e saj “Ke le për mu”.
Ndryshe nga herët e tjera, këngëtarja e njohur është paraqitur me një këngë ndryshe, të kënduar në dialektin gegë.
Këngëtarja Samanta Karavella është shpërblyer me çmimin “Balada më e mirë” për këngën e saj të titulluar “E humbur”.
“Ju falënderoj të gjithë ju, sepse këtë çmim jua kam dedikuar juve”, është shprehur këngëtarja Karavella referuar publikut.
Kënga e saj “E humbur” është punuar nga Kledi Bahiti, me tekst të Olti Currit, dhe orkestrim nga Darko Dimitrov.
E kontaktuar nga Telegrafi, Samanta ka thënë shkurt se është duke e shijuar pjesëmarrjen e saj në këtë festival, ndërsa ndjehet e lumtur të jetë pjesë e finales.
Nata finale e festivalit “Kënga Magjike 2017” ka ndarë edhe “Çmimin e interpretimit”, në të cilin ishin të nominuar artistët: Rovena Stefa, Anxhela Peristeri, dhe dueti mes Kastro Zizos dhe Rea Nuhut.
Këta dy të fundit arritën të fitojnë çmimin, ndërsa më pas interpretuan live këngën e tyre “Pa faj”.
Këngëtarja Blerina Braka është shpërblyer me çmimin e madh, “Çesk Zadeja”, në natën finale të “Kënga Magjike 2017”.
Ajo ka falënderuar familjen e saj: dy prindërit, si dhe bashkëshortin, ndërsa ka interpretuar live këngën e saj “Mirupafshim dashuri”.
Këngëtari i njohur Stine është shpërblyer me “Çmimin Diskografik”.
Ky çmim, i cili viteve të kaluara jepej për diskografinë (albumet më të shitura), me kalimin e viteve dhe ndryshimin e tregut, tani i referohet këngëve më të klikuara dhe të blera në internet, e që mesa duket rezulton të jetë kënga “Ma more zemrën” e këngëtarit Stine.
Në një intervistë për Telegrafin Stine ishte shprehur: “Këtë këngë e interpretoj me gjithë qejf, kam përgatitur një performancë të bukur me shumë statistë, ndërsa sa i përket vlerësimit, atë pjesë sigurisht ua kam lënë të tjerëve”.
E si mund të ndodhte ndryshe? “Kënga hit” shkoi për këngën “Zhurmë” të artistes nga Kosova, Filloreta Raçi – Fifi.
“Rëndësi ka që unë e kam fituar çmimin e publikut”, u shpreh këngëtarja duke iu referuar faktit se ndjehet krenare që kënga e saj është bërë hit.
Fifi në një intervistë për Telegrafin kishte treguar se kënga e saj “Zhurmë” është e frymëzuar nga një histori personale në jetën e saj, dhe se ndjehet mirë për suksesin e arrirë.
“Zhurmë” është njëherësh edhe kënga më e klikuar e festivalit.
Grupi i njohur nga Peja, të cilët pas 10 vitesh u prezantuan në “Kënga Magjike”, arritën që ta ruajnë prestigjin e “Grupit më të mirë”, duke u shpërblyer kështu edhe me këtë çmim në natën finale.
NRG Band interpretuan live këngën e tyre hit “Gocat me martini”, e cila ka ndezur paksa atmosferën për të pranishmit.
Ndryshe, lideri i grupit, NRG Band rrëmbeu duartrokitjet e të gjithëve teksa u shpreh se këtë çmim ia dedikon vajzës që do ta sjellë së shpejti në jetë.
Këngëtarja nga Kosova, Egzona Ademi, është shpërblyer me çmimin e Radio Televizuionit 21 në Kosovë dhe Maqedoni.
Ky çmim, i cili dhurohet për këngën më të dëgjuar nga festivali në këto dy televizione, i shkoi këngës “E ndjej”, të cilën Egzona e interpretoi live para publikut.
Ajo falënderoi së pari Zotin, kompozitorin e këngës, Adrian Hilën, e ndërsa çmimin ia dedikoi nënës së saj.
Në natën finale u prezantua një performancë shumë e veçantë me një kolazh këngësh nga Agim Krajka, të cilat u kënduan nga juria e festivalit dhe artistët e rinj në konkurrim.