Kur do të jetë gati objekti i Teatrit Shqiptar në Shkup dhe Tetovë? Përgjigjet Valmir Aziri

Nga qeveria paraprake, kultura shqiptare pothuajse ka qenë e lënë anash tërësisht, madje i vetmi objekt kulturor i cili filloi të rikonstruohet ka pothuajse katër vjet që nuk po arrin të shohë dritë. Bëhet fjalë për Teatrin Shqiptar të Shkupit, më keq është gjendja me Teatrin e Tetovës i cili ka dhjetë vjet që ka nisur të ndërtohet, shkruan Portalb.mk.
Për Teatrin e Tetovës janë lëshuar para për përfundim e punimeve, dhe lëshimi zyrtar i këtij objekti do të ndodh në vitin 2019.

Zvarritja e punimeve në Teatrin Shqiptar Shkup nuk i ka bërë pengesë vetëm objektit apo edhe kuadrit administrativ të këtij institucioni, por edhe artdashësve të cilët për një premierë apo reprizë janë dashur të vizitojnë herë Teatrin e Komedisë në qendër të Shkupit e herë Qendrën Teatrore të Fëmijëve.

Problemi i teatrove shqiptare vjen nga mungesa e financimit, megjithatë ai thellohet edhe me mosdecentralizim të institucioneve kulturore, për të cilat ditë më parë Portalb.mk sqaroi se pse nuk arritën të sigurohen bllok dotacionet. Por, kjo nuk është e tëra, ashtu siç njoftuan nga Ministria e Kulturës por edhe vetë komunat, përjashtuar atë të Kërçovës dhe Vrapçishtit të cilat ka siguruar miliona denarë nga buxheti 2018, komunat tjera shqiptare nuk kanë bërë asnjë kërkesë për marrje nën menaxhim të institucioneve kulturore të cilat janë në territoret e tyre dhe ato edhe më tej i ngelen Ministrisë së Kulturës.

20664528_1930790400502112_7554631935774244466_n
Sekretari shtetëror kulturor, Valmir Aziri

Për të parë se çfarë do të ndodhë me kulturën shqiptare në nivel komunal, ne kemi marrë qëndrim nga sekretari shtetëror kulturor, Valmir Aziri i cili më parë ka qenë edhe drejtor i Teatrit të Tetovës dhe nga afër është i njoftuar me problemet kulturore.

“Kur jemi te bllok dotacionet, ka ndodhur një keqkuptim i madh për të cilin tashmë ju keni sqaruar se si është gjendja faktike. Nuk është e vërtet që komunat shqiptare nuk marrin mjete, por e vërteta është se në komunat shqiptare nuk ka ndodhur decentralizimi i institucioneve të kulturës siç janë teatrot, bibliotekat, Pallatet e Kulturës, Qendra për Konservim e cila është në Gostivar e kështu me radhë, pra janë institucione të cilat janë të vendosura në komunat shqiptare por financohen nga ana e Ministrisë së Kulturës. Nëse marrim thjesht të bëjmë një matematik, del se me mbi 1.5 milionë euro në çdo vit nga ana e Ministrisë së Kulturës financohen rrogat, investime të ndryshme, programe, projekte dhe mirëmbajtja e institucioneve që janë në komunat shqiptare. Që nënkupton diku 40 përqind e mjeteve të cilat ju i përmendni më lartë si bllok dotacione”, tha Valmir Aziri, sektretar shtetëror i Ministrisës së Kulturës.

Tashmë buxheti i vitit 2018 është në procedurë kuvendore, kur do të mund të shohim shfaqje në objektet vetanake të Teatrit të Shkupit dhe atij të Tetovës?

“Me buxhetin shtetëror të vitit 2018 për dy teatrot janë ndarë 250 milion denarë në kundër vlerë prej 4.2 milionë euro, ndërsa edhe për Teatrin e Tetovës janë ndarë 250 milion denarë, të cilat për Teatrin Shqiptar në Shkup do të shfrytëzohen deri në fund të vitit 2018 që të përmbyllen punimet dhe zyrtarisht të lëshohet në përdorim me një premierë në shtator. Ndërsa, për Teatrin e Tetovës kjo vlerë do të thotë përfundim i punimeve, mirëpo për shkak të disa punimeve shtesë, lëshimi zyrtar i këtij objekti do të ndodh në vitin 2019. Është hera e parë që Ministria e Kulturës lëshon kaq mjete për investime në këto dy institucione.”

Komunat nuk menaxhojnë institucionet kulturore dhe për këtë nuk janë siguruar milionë denarët sikurse sigurohen nga komunat maqedonase, shumica e aktiviteteve kulturore duhet të financohen drejtpërdrejt nga Ministria e Kulturës.

Cilat projekte kulturore shqiptare do t’i financojë Ministria e Kulturës, në cilin qytet, në çfarë vlere të denarëve dhe për çfarë lloj të projekteve?

“Ministria e Kulturës programin do ta krijojë në bazë të kërkesave të arritura si dhe në varshmëri prej projekteve të cilat kanë kërkuar shoqatat, institucionet e ndryshme si dhe artistët në mënyrë vetanake. Ne kemi thënë disa herë që Ministria e Kulturës do të dyfishojë ose trefishojë buxhetet për të gjitha projektet të cilat kanë nevojë për financim nga ana e Ministrisë dhe ato projekte që do t’i financojmë, do të jemi serioz në këtë aspekt dhe do të kërkojmë që këto projekte të marrin edhe udhën e realizimit dhe të përfitojmë të gjithë së bashku nga realizimi i tyre.”

Përndryshe, në Maqedoni figurojnë vetëm tri teatro shqiptare, në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. Kumanova dhe Tetova nuk kanë objekt vetanak. Teatri Shqiptar i Shkupit është i vetmi që ka një objekt të vetin, por edhe ai ka pothuajse katër vite që rinovohet. Punimet vazhdojnë edhe më tej.

Teatri Shqiptar i Shkupit shpesh herë ka ditur të përdoret edhe nga partitë si “përfitim” pikësh politike, por që asnjëra prej tyre në programin e tyre zgjedhor nuk shpalosi një hap konkret për këtë dhe institucionet tjera të rëndësishme kulturore. Nga garnitura parparake, ku në krye të Ministrisë së Kulturës ishte Elizabeta Kançevska Milevska, të cilët e nisën projektin e rinovimit të Teatrit, faji i zvarritjes së punimeve në Teatrin Shqiptar të Shkup u hedh te pjesëtarët e teatrit. Për këto akuza politike dhe hedhjefaji nga ministrja e atëhershme Milevska, pati reaguar drejtori i Teatrit Shqiptar të Shkupit, Adem Karaga, duke bërë thirrje që problemi i këtij institucione të mos keqpërdoret politikisht.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button