Në Qendrën Kulturore Informative në Shkup, mbrëmë u hap ekspozita personale, e katërmbëdhjeta me radhë, e piktorit nga Gostivari, Bashkim Mexhiti. Në këtë ekspozitë Mexhiti u prezantua me rreth 30 piktura në teknikën akril, të realizuar kryesisht në dy vitet e fundit dhe i përkasin ciklit të titulluar “Dimensione kohore”.
Dekani i Fakultetit të Arteve pranë Universitetit të Tetovës, Miftar Memeti, në fjalimin tij përshëndetës, tha se nuk do të flasë për veprat e Bashkim Mexhitit, por për atë si personazh tejet i përkushtuar në çdo punë që e bën dhe për modestinë e tij.
“Bashkimin e njoh që nga vitet e tetëdhjeta, kur ishte shumë i ri. Ai gjithmonë ka qenë tejet i përkushtuar në punë dhe pjesëmarrës në shumë procese. Por, nga modestia ai gjithmonë qëndron një hap prapa të gjithëve, edhe pse kontribuon shumë. Bashkimi është jo vetëm një piktor i shkëlqyer, por edhe skulptor, vizatues dhe grafit i spikatur. Ai arrin që prej një realisti të përpiktë, të transformohet në një modernist ekspresionist”, theksoi ndër të tjera dekani Memeti.
Piktori Bashkim Mexhiti, në këtë ekspozitë aplikoi një formë të re të komunikimit me konsumuesit e artit. Në hyrje të galerisë vendosi një tabelë me përshkrim të motivit të veprave të ekspozuara.
“Motivi etimologjik i veprave pasqyron rrugëtimin e gjatë historik të trojeve tona nëpër kohëra, qëndresat shumëshekullore të periudhave të ndryshme, hyjnizimin e gjuhës, shkrimin e lashtë, si dhe lavdinë e të parëve tanë. Të gjitha këto motive të lartpërmendura, shtresohen në piktura abstrakte ekspresioniste dhe me shumë simbolikë. Elementet dhe parimet figurative, si dhe vetë procesi i veprimit në pikturë janë nën ombrellën e semiotikës dhe flasin me gjuhën e simbolikës që përfundojnë në kompozicione të dimensionit shpirtëror, duke shprehur lirikën e dhimbjes, shpresës dhe dashurisë“, ka shpjeguar Mexhiti.
Ndryshe, Bashkim Mexhiti që nga viti 1994 punon në Fakultetin e Arteve Fugurative pranë Universitetit të Tetovës, ku prej vitit 2013 mban thirrjen Inordinar në lëndën Akti i mbrëmjes.
Krahas 13 ekspozitave personale të realizuara deri më tani, ai ka marrë pjesë edhe në shumë ekspozita kolektive dhe koloni artistike në vend dhe jashtë.
Ndonëse i specializuar në pikturë, Mexhiti ka realizuar edhe shumë skulptura, ndër të cilat shquhen shtatoret e Xhemë Hasës, Haqif Krosit dhe Komandant Tigrit.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 9 dhjetor dhe e njëjta është mbështetur nga Ministria e Kulturës.