Site icon PORTALB

Keni shtëpi të vogël? Pa merak, këto truke arredimi e dyfishojnë në përmasa!

Apartamentet e vogla kanë lezetin e tyre, që nga përmasat praktike, e deri te fakti që nuk ju lejojnë ta mbipopulloni shtëpinë me zbukurime e dekore të kota, shkruan Bordo.al.

Mund të mos e ndjejmë problemin e zbukurimeve në fillim, por të gjithë e dimë sa e bezdisshme është të pastrosh pluhurat e shtëpisë, kur ke “xhingla” nëpër këmbë!

Megjithatë, zor se gjen ndonjëherë hapësirën e duhur edhe për sendet më bazike, ndaj si mund ta shfrytëzojmë në maksimum apartamentin tonë liliput?

Lexoni në vijim për disa truke fantastike arredimi!

 

1. Përdorni ngjyra të çelura për shtëpinë

Ngjyrat e errëta kanë vetinë ta thithin dritën, ndërsa ngjyrat e çelura e reflektojnë atë. Kaq gjë e dimë nga konturimi! E bardha, bezha apo grija e dyfishojnë apartamentin në përmasa, dhe shtëpia duket më e pastër dhe e hapur!

2. Blini orendi me hapësirë për sende

Mos blini një tavolinë të thjeshtë prej druri e xhami, por zgjidhni një me hapësira sekrete, për sendet e tepërta që ju dalin nëpër shtëpi. Konsideroni edhe një shtrat me dyshek të lëvizshëm, për të futur jorganët dhe batanijet!

3. Vërini raftet pranë tavanit

Sa më lart të jenë raftet, aq më sipër e tërheqin syrin. Për më tepër, nuk ka rrezik të vrisni kokën!

4. Zgjidhni zbukurime më të mëdha se një bostan

Ky është rregulli i dekorueses Sabrina Soto nga Target: Zgjidhni vazo dhe zbukurime më të mëdha se një bostan, për të mos e bërë shtëpinë të duket e mbushur me çikërrima.

5. Përdorni vija

Ashtu si në rroba, edhe një tapet me vija e bën dhomën të duket më e gjatë.

6. Përdorni perde të tejdukshme dushi në banjo të vogla

Privatësia mund të jetë pak problem, por sidoqoftë! Zmadhoni banjon me perden e tejdukshme, dhe mbyllni derën me çelës kur bëni dush!

7. Vendosni shumë pasqyra

Nuk ka nevojë për shpjegim këtu: Pasqyrat bëjnë çdo gjë të shfaqet dy herë! Matematikë e thjeshtë, apo jo?

8. Zgjidhni mobilje me këmbë të ekspozuara

Vëmë bast që nuk e dinit këtë sekret! Zgjidhni një divan me këmbë të dukshme, jo një divan “jastëk”, tërësisht i mbuluar! Ndryshimi duket menjëherë!

Exit mobile version