Viteve të fundit qeverisja e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ndonëse me veprime gati të pashpjegueshme politikisht, ka rritur kursin nacionalist dhe ka arritur që atë në formë emocioni plotë urrejtje ta transferoj tek një pjesë e madhe e maqedonasve. Urrejtja etnike në Maqedoni nuk është shëruar dhe virusi i saj është i konservuar në ndërgjegjen e shoqërisë. Kështu e vlerësojnë situatën e aktuale në Maqedoni analistët politik nga Shqipëria dhe Kosova.
Analisti Fadil Lepaja për Portalb thotë se situata aktuale asocon në një skenar të mirë përgatitur, me qëllim të një destabilizimi eventual të situatës së përgjithshme të një shteti që edhe ashtu ka shumë problem tjera të pazgjidhura.
“Zhvillimet e fundit me vrasjen e dy të rinjve shqiptar dhe atyre pesë maqedonas asocojnë se këto nuk janë raste të shkëputura por më tepër ngjajnë në një skenar të menduar për ndezjen e serishme të konfliktit në mes shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni. Për ta ndërruar dhunshëm qeverisjen dhe raportet mes popujve shtet formues në Maqedoni” thotë Lepaja.
Sipas tij, nëse kthehemi prapa do të shohim se skenarë të tilla e filluan luftën në Bosnje dhe atë në Kosovë dhe me pasojat e tyre po merret tashmë Gjykata ndërkombëtare për krime të luftës.
Shqiptarët në Maqedoni e as në regjion nuk kanë asnjë interes të luftojnë me askënd por të vazhdojnë me strategjinë e emancipimit nacional dhe qytetarë përmes proceseve të integrimeve euroatlantike, deklaroi analisti kosovar Fadil Lepaja për Portalb.
Por publicisti nga Tirana Mero Baze nuk mendon kështu, problemet e krijuara së fundmi në Maqedoni nuk nxiten nga jashtë, ato prodhohen brenda në Maqedoni dhe duhet kuruar pikërisht aty, deklaroi për Portalb Baze.
“Tensionet tregojnë se në Maqedoni urrejtja etnike nuk është shëruar dhe se virusi i saj është i konservuar në ndërgjegjen e shoqërisë. Ai ngre kokë dhe sulmon sa herë Maqedonia humbet imunitetin për çfarëdo arsye. Mjaftoi një vrasje makabër e pesë personave, ende e pa hetuar, dhe virusi i urrejtjes etnike ngriti krye duke sulmuar shqiptarët. Kjo tregon se Maqedonia ka një problem më të madh përpara saj, më të madh se sa hetimi dhe zbulimi i disa vrasësve” tha Baze.
Vizitën e Presidentit Topi në Shkup, dhe ndikimin e tij në uljen e tensioneve Baze e sheh me rezervë, problemi duhet zgjidhur brenda për brenda nga politikanët e Maqedonisë, shton Baze.
Ngjarjet e e fundit treguan sa e lëndueshme dhe e brishtë është jeta politike në Maqedoni vlerëson analisti kosovar Mentor Tahiri.
Ai vlerëson se tani më i takon mendjeve të shëndosha në Maqedoni të ndihmuara edhe nga qasja drektë e komunitetit ndërkombëtarë, të gjejnë rrugën për të kanalizuar si duhet të gjitha ato segmente kushtetuese që nuk i janë përshtatur si duhet realiteteve demografike në vend.
Gjendja e krijuar në Maqedoni pas vrasjes makabër të pesë të rinjve të etnitetit maqedonas në afërsi të Shkupit vazhdon të jetë e tensionuar. Shqetësim më të madh paraqet gjendja e sigurisë e shqiptarëve në Maqedoni, pasi që menjëherë pas publikimit të lajmit pa asnjë dëshmi, u fajësuan shqiptarët, gjë që shqetësoi edhe shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria. /Portalb/