Site icon PORTALB

DITË TË ZAKONSHME…

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Ditë të zakonshme, tmerrësisht të zakonshme, idiotësish të zakonshme.
Ditë të lodhura dhe të rënduara prej rutinës.
Ditë të mbështjella me trishtim e kotësi.
Ditë që të shkaktojnë zhurma në kokë.
Ditë që tenton t’u japësh kuptim duke sajuar tejbotën tënde.
Ditë pa çastet eprore që fiksohen në kujtesë.
Ditë ku asgjëja është gjithçka dhe ku gjithçkaja është asgjë.
Ditë ku flasin për etikë ata që ndërrojnë etiketat.
Ditë që nuk njohin bilance të ndërgjegjes.
Ditë me fytyra të kudondodhura – në gjithkund e askund.
Ditë me Kroesusë të pangopshëm e me lajmëtarë kobzi të kënaqur në mjerimin e tyre.
Ditë të mbështjellë me frikën e humbjes së gjërave që kurrë s’i kemi pasur.
Ditë pa madhështi veçantie, pa aventura, pa marrëzi të domosdoshme, që i japin kuptim jetës.
Ditë uniforme, triviale, aspak kreative.
Ditë që ngjajnë si shkretëtira shterpësie.
Ditë me idhuj të autorizuar që vendosin për fate idhujtarësh.
Ditë ku humbja e mashtrimi janë të vetmet opsione.
Ditë që flasin me gjuhë të drunjtë dhe pa një mendim të ri.
Ditë me kulla makthesh dhe me njerëz që shkojnë diku pa pasur asnjë adresë.
Ditë me një udhë që të kthen në fillim.
Ditë me të rinj që jetojnë pleqërisht.
Ditë me pleq që imponojnë kodin e sjelljes së tyre të mirë.
Ditë të sunduara nga kokëqethësit dhe mendja e robëruar.
Ditë të hidhëta si kafeja e fundit e Ismail Qemalit.
Ditë të egërsuara si historitë e Ballkanit.
Ditë kur plas gazi vetëm pse qesh prijësi.
Ditë ku shumëkush tenton të ta lexojë letrën në xhep.
Ditë ku shumëkush dëshiron ta ndryshojë tjetrin dhe jo vetveten.
Ditë ku shumëkush e shkruan historinë e tjetrit.
Ditë ku pakkush tenton ta shkruajë historinë vetjake.
Ditë ku njerëzit shikohen me gabzherr ujku.
Ditë që përsëriten brenda çdo jave, muaji a viti dhe pa asnjë orë kremtore.
Ditë e njëjtë me shumë emra dhe pa asnjë shenjë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version