Site icon PORTALB

Rufi Osmani i kundër përgjigjet Bejtës

Bejta nuk është kandidat i denjë, dua të ballafaqohem me Ali Ahmetin, Rufi Osmani

Bejta nuk është kandidat i denjë, dua të ballafaqohem me Ali Ahmetin, Rufi Osmani

Kryetari i RDK-së dhe njëherësh edhe i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani i është përgjigjur sfidës që i bëri një ditë më parë Nevzat Bejta për tu ballafaquar në zgjedhjet e ardhshme komunale në vitit 2013-të.

Osmani tha se nuk e sheh si konkurrent të denjë Bejtën, dhe porositi atë që të paraqitet para organeve të drejtësisë dhe të përgjigjet, për siç tha ai krimet që ka bërë me buxhetin e Gostivarit, gjatë katër viteve sa e drejtonte atë, e që sipas tij arrijnë disa miliona euro.

‘Unë propozoj që Ali Ahmeti të ndërrojë vendbanimin e vet dhe të konkurrojë për kryetar të komunës së Gostivarit, sa për Bejtën ai duhet të përgjigjet për keq menaxhimin e komunës dhe për krimin që ka bërë, për dëmet që arrijnë miliona euro, përndryshe unë nuk merrem me kombinatorikat e kandidatëve të partive tjera’, deklaroi Osmani.

I pyetur lidhur me mundësinë bashkëpunimit më të ngushtë të opozitës, Osmani u përgjigj se bashkëpunim duhet të ketë por së pari, partitë duhet të tregojnë se çfarë objektivash kanë.

‘Sa u përket partive politike shqiptare ata së pari duhet të bëjnë publike plan-programet e tyre dhe mandej të takohemi e të bisedojnë, ndërsa sa i përket opozitës maqedonase, sidomos LSDM-së, kreu i saj duhet të kërkojë falje publike për aksionin policor në Gostivar në vitin 1997, dhe ndërkohë të publikojë para opinionit të gjerë se cila është alternativa e tyre për debllokimin e procesit integrues, përkatësisht si mendojnë të arrijnë zgjidhje në kontestin me emrin me Greqinë’, tha Osmani.

Osmani deklaratat i bëri publike gjatë një konference me gazetarë ku publikoi propozim-ligjet që deputeti i RDK-së,  Izet Zeqiri i ka dorëzuar në Kuvend  dhe të cilat nuk janë pranuar nga mazhoranca, siç janë propozimi për ndryshimin e ligjit për TVSH-në, për ndryshimin e ligjit për akcizat, kur parashikohej ulje e akcizës për derivate për 9 për qind etj.

RDK sot promovoi edhe zëdhënësin e saj të ri, z. Artan Dika.

/Portalb/ 

Exit mobile version