Socialistët vijojnë akuzat ndaj prokurorisë për mbylljen pa hetim të dosjes “ÇEZ”, dosje që sipas tyre përbën një nga aferat më të mëdha korruptive në vend. Sekretari i përgjithshëm i PS njëherësh dhe kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, tha se ky është favori i fundit që organi i akuzës po u bën demokratëve, të cilët i etiketoi si “fronti i hakmarrjes për pushtetin e humbur, transmeton RTSH.
Raporti i Komisionit Hetimor për privatizimin e OSHE nga kompania çeke ÇEZ, vlerësoi se buxhetit të shtetit iu shkaktua një dëm prej 415 milionë euro nga procesi i privatizimit. Por sipas socialistëve organi i akuzës nuk ka marrë në konsideratë asnjë gjetje e komisionit hetimor, ndërkohë që prokuroria çeke ka nisur hetimin ndaj ÇEZ nisur nga ky raport.